Ekonomia

Ra sot në bursat ndërkombëtare, por Bordi e rriti me 6 lekë për litër naftën në Shqipëri

Ra sot në bursat ndërkombëtare, por Bordi e rriti me 6 lekë

Nëse në bursat ndërkombëtare çmimi i naftës ra me të paktën 6 dollarë për fuçi (në Angli) në vendin tonë çmimi i të njëjtit produkt sapo është rritur me 6 lekë për litër.

Nga sot nafta do të shitet me 227 lekë për litër, nga 221 lekë/litër që ishte më 11 gusht. Ndërkohë, çmimi i benzinës është ulur me vetëm 1 lekë, ndërsa ai i gazit është ulur me dy lekë.

Bordi i Transparencës i cili publikoi sot vendimin për çmimet e reja të karburanteve që hyjnë në fuqi nga ora 18:00 e ditës së sotme në çdo pikë shitjeje me pakicë, përpiqet të sqarojë edhe mos reflektimin e vlerave të bursave ndërkombëtare në vendin tonë.

Sipas këtij institucioni të ngritur posaçërisht për kontrollin e çmimeve të karburanteve në tregun vendas, baza për llogaritjen e vlerave të reja të shitjes së produkteve është vetëm Agjencia Ndërkombëtare “S&P Global Platts”.

Bordi njofton gjithashtu se ndikim në çmimet e reja të vendosura për karburantet në Shqipëri ka edhe kursi i këmbimit të lekut me dollarin amerikan.

Njoftimi i plotë i Bordit të Transparencës:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 227 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 215 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 201 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 189 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 78 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/litër për automjetet.

(Shënim: çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 17 Gusht ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi sqaron opinionin publik se zbaton me kujdesin e duhur aktin normativ në fuqi, duke synuar mbrojtjen e konsumatorëve në këto kushte të krizës botërore dhe paqëndrueshmërisë së çmimeve të nënprodukteve të naftës.

Sqarimi i Bordit:

I. Çdo referencë mbi uljen apo rritjen e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, nuk impakton në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën kohë bursën e nënprodukteve gazoil, benzinë. Për të informuar drejt dhe pa shtrembërime opinionin publik, media dhe faktorët e ndryshëm politikë dhe jopolitikë duhet t’i referohen të dhënave zyrtare të Agjencisë Ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD, për bursën e Mesdheut. Administrata Doganore është orientuar që të bëjë publik informacionin mbi lëvizjet e kësaj burse me qëllim që askush të mos shtrembërojë realitetin dhe të abuzojë me informacionin.

II.Nga Vendimi i fundit i Bordit Nr. 45, Prot, datë 11.8.2022, i cili i referohet të dhënave zyrtare të Agjencisë ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD të datës 10.8.2022, lëvizja e çmimeve ka qënë si vijon:

Datë 11.08.2022: Benzina 10 ppm +29 USD/ton; Gazoili 10ppm +42 USD/ton

Datë 12.08.2022: Benzina 10 ppm + 6 USD/ton; Gazoili 10ppm + 66 USD/ton

Datë 15.08.2022: Benzina 10 ppm - 5 USD/ton; Gazoili 10ppm + 41 USD/ton

Datë 16.08.2022: Benzina 10 ppm -20 USD/ton; Gazoili 10ppm +40 USD/ton

III. Kursi i këmbimit LEK/USD, i cili impakton gjithashtu çmimin përfundimtar të karburanteve, është rritur me +1,42 lekë, krahasuar me kursin zyrtar të përdorur në mbledhjen e fundit të Bordit.

Pra, pavarësisht se çmimet në bursë kanë pasur tendencë rritje, në javën e fundit, Bordi nuk ka marrë Vendim të menjëhershëm për rritjen e çmimit të nënprodukteve.