Rama shpjegon në Dibër pse nuk ka përfunduar tuneli i Murrizit në Rrugën e Arbrit

Kryeministri Edi Rama në takimin me operatorët turistikë në qytetin e Peshkopisë ka folur për ritmet e ngadalta të cilat kanë ecur punimet për Rrugën e Arbrit.
Ndonëse u inaugurua një vit më parë, pa tunelin e Murrizit, Rama shpjegoi se pikërisht vështirësitë për shkak të terrenit gjeologjik kanë bërë që puna të ngecë në këtë tunel dhe të mos dorëzohet e plotë Rruga e Arbrit që i ka shkurtuar dibranëve distancën me Tiranën.
“Kush do vinte në Dibër këtu nga ajo rruga e llahtarshme? Ja pra Rruga e Arbrit është realitet. Nuk është ende e përfunduar sepse tuneli i Murrizit ka shfaqur një problematikë gjeologjike, - gjëra që ndodhin, - shumë të rëndë dhe për këtë arsye tani kompania ecën me ritmin e breshkës, një metër në ditë sepse duhet kujdes shumë i madh, fortifikim shumë i posaçëm, por ndërkohë procedura për Planin e Bardhë dhe për qafën e Buallit ka përfunduar, kështu që ato fillojnë së shpejti të realizohen dhe ndërkohë me buxhetin e vitit të ardhshëm është planifikuar edhe lidhja me Maqellarën që praktikisht e sjell makinën me rrugën e Arbrit deri në qendër të Peshkopisë dhe kjo është besoj se rëndësishme”.