Ekonomia

Shtëpitë po jepen me ditë për turistët, shtrenjtohen me 35% qiratë mujore

Shtëpitë po jepen me ditë për turistët, shtrenjtohen me

Qiratë po shtrenjtohen me shpejtësi në kryeqytet, duke arritur minimumi 350 euro/muaj. Faktorët e rritjes së çmimeve të qirave janë të shumtë, por arsyeja kryesore është rritja e numrit të shtëpive apo apartamenteve për dhënie me qira online nëpërmjet platformave ndërkombëtare “Booking” dhe “Airbnb”.

Pas tërmetit të vitit 2019, çmimet e qirave për apartamente nuk e ndalën tendencën e rritjes. Vlerat mujore të qirave të shtëpive edhe këtë vit janë në rritje në Tiranë.

Agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme pohojnë se çmimet e qirave për apartamente të mobiluara në disa prej zonave kryesore të Tiranës, variojnë mbi 350 euro në muaj.

Nga analiza e të dhënave të databazës së agjencisë imobiliare “Future Home”, çmimet e qirave për një periudhë afatgjatë krahasuar me vjet janë rritur me 35%.

Drejtuesi i agjencisë së pasurive të paluajtshme, z. Fatjon Hysenbelliu, pohoi për “Monitor” se në disa zona të Tiranës, rritja e çmimeve është mbi 35%. Qiratë e apartamenteve edhe vitin e kaluar patën rritje të lartë.

Në vitin 2022, sipas të dhënave të analizuara nga indeksi “Keydata”, çmimet u rritën me 20 deri në 40% krahasuar me vitin 2021.

Po kërkoni apartament me qira, ja sa do t’ju kushtojë çdo muaj në disa zona të Tiranës

Çmimet e qirave pranë zonës së stadiumit “Air Albania” vijojnë të mbeten më të shtrenjtat në Tiranë. Sipas të dhënave të agjencive imobiliare, çmimi mujor i qirasë për apartament 2+1 (pranë zonës së stadiumit “Air Albania”) është 1,200 euro nga 1,000 euro që kushtonte vitin e kaluar.

Ndërsa për prona 3+1, çmimet janë deri në 2,000 euro. Bëhet fjalë për prona, prej të cilave mund të shkohet në qendër pa makinë, si dhe ofrojnë parkim, ashensor, mobilim bashkëkohor dhe pozicion të mirë të pallatit. Në ndërtimet e reja në këtë zonë, çmimi për apartamente 1+1 arrin deri në 650 euro.

Në zonën e ish-Bllokut, çmimi i qirave për apartamente 1+1 në shtator të këtij viti arriti 750 euro në muaj, nga 600 euro që ishte niveli maksimal i qirasë vitin e kaluar. Ndërsa për prona 2+1, qiratë variojnë 950 deri në 1,000 euro në muaj, nga 700 deri në 930 euro në muaj që varionte vjet.

Për apartamentet e banimit pranë zonave, si: Stadiumi Dinamo, shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi”, Komuna e Parisit dhe Liqeni Artificial, çmimi mesatar i qirave për apartamentet 1+1 varion nga 600 deri në 700 euro në muaj. Në vitin 2022, çmimet e qirave në këto zona variojnë nga 440 deri në 550 euro në muaj.

Për apartamentet 2+1, sipas të dhënave të agjencive imobiliare, çmimet e qirave variojnë nga 750 deri në 1,200 euro, nga 550 euro që ishte vjet çmimi minimal. Ndërsa çmimi maksimal i qirasë prej 1,200 euro në muaj ka mbetur i pandryshuar.

Në zonat si “Don Bosko” dhe “Zogu i Zi”, çmimet e qirave për apartamente 1+1 kanë arritur deri në 500 euro në muaj, nga 400 deri në 450 euro që varionte vjet. Ndërsa për prona me sipërfaqe 2+1, çmimet e qirave sivjet kanë arritur deri në 650 euro nga 500 deri në 560 euro që varionin vitin e kaluar.

Rritja e çmimeve në këto dy zona, sipas drejtuesit të agjencisë imobiliare, “Future Home”, Fatjon Hysenbelliu, është ndikuar nga kërkesa e lartë e studentëve italianë që studiojnë në Universitetin e Zoja e Këshillit të Mirë.

“Numri i studentëve italianë që ndjekin studimet e larta në Shqipëri 2-3 vitet e fundit është shtuar ndjeshëm. Pjesa më e madhe e tyre ndjekin studimet e larta në Universitetin katolik Zoja e Këshillit të Mirë. Shumica e studentëve marrin apartament me qira me çmim 600-700 deri në 800 në muaj (një shtëpi kërkohet për 2-3 studentë).

Shtëpitë e banimit kërkohen kryesisht pranë zonave të universitetit, si: “Don Bosko”, “Zogu i Zi” dhe ish-Blloku. Kjo kategori qiramarrësish e ka rritur ndjeshëm kërkesën e pronave me qira të lartë”, shtoi ai.

Rritje të çmimeve të qirave ka pasur edhe në zonat periferike. Në zonën e “Kinostudios”, “Astirit” dhe “Freskut”, çmimi i qirave të apartamenteve 1+1 varion nga 350 deri në 450 euro, nga 255 deri në 400 euro që ishin çmimet vitin e kaluar. Për prona 2+1, çmimet e qirave sivjet variojnë nga 350 deri në 500 euro.

Zgjerimi i tregut të qirasë afatshkurtër shtrenjton çmimet

Për ekspertët dhe agjentët imobiliarë të tregut të pasurive të paluajtshme, faktorët e rritjes së çmimeve të qirave janë të shumtë, por arsyeja kryesore është rritja e numrit të shtëpive apo apartamenteve për dhënie me qira online nëpërmjet platformave ndërkombëtare “Booking” dhe “Airbnb”.

Stela Dhami, nga agjencia ndërkombëtare e pasurive të paluajtshme “Colliers International Albania”, thotë për “Monitor” se kërkesa e lartë për apartamente nga të huajt nëpërmjet rezervimeve online në “Airbnb” gjatë sezonit të turizmit forcoi ndjeshëm presionet për rritje të çmimeve të qirave.

Znj. Dhami thotë se është rritur numri i individëve që po marrin apartamente me qira për t’i ridhënë ato me qira ditore.

“Stoku i apartamenteve për qiradhënie ditore është rritur, për shkak të shtimit të banesave në përdorim për qira ditore nëpërmjet ‘Airbnb’. Rritja ka qenë më e lartë gjatë verës, për shkak të shtimit të fluksit të turistëve.

Madje janë rritur edhe blerjet për apartamente me qëllim dhënien e tyre me qira ditore, pasi po shihet si një mundësi e leverdishme investimi. Ndërsa stoku i banesave për qiradhënie afatgjatë është ulur”.

Znj. Dhami shton se parashikohet që kërkesa për qira ditore të jetë e lartë edhe në tetor, për shkak të kushteve të mira klimatike dhe ndryshimit të profilit të turistit që vjen në Shqipëri, duke përfshirë jo vetëm ardhjen e shtetasve italianë, por edhe gjermanë dhe austriakë.

Në muajin shtator 2023, sipas të dhënave të “AirDNA”, që analizon statistikat për strukturat me qira ditore në platformën “Airbnb” kishte 15,512 listime pronash të disponueshme. Krahasuar me muajin shtator 2022, pronat e listuara për dhënie qiraje në këtë platformë u rritën me 25%.

Oferta për prona me qira ditore mbeti e lartë këtë shtator, krahasuar me rënien pas verës së 2019-s. Në muajin shtator 2023, listimet e pronave për dhënie me qira u shtuan 120% krahasuar me shtator 2019.

Në muajin shtator 2023, numri i strukturave me qira ditore në dy platformat ndërkombëtare “Booking” (sipas kërkimeve të “Monitor”) dhe “Airbnb” (sipas të dhënave të “AirDNA”) arriti në 24,902 apartamente/banesa.

Shtimi i listimeve është nxitur nga çmimet e lira dhe moti i mirë. Sipas të dhënave të “AirDNA”, tarifa mesatare ditore (ADR) për të gjitha netët e rezervuara, duke përfshirë tarifat e pastrimit, por jo tarifat e shërbimit, në muajin shtator ishte rreth 61 euro. Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, tarifa mesatare ditore u rrit 16%.

Po sipas të dhënave të “AirDNA”, kërkesa për net-qëndrime ishte 100,257 këtë shtator, me rritje të ndjeshme prej 85% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Koha mesatare e qëndrimit luhatet në rreth tri ditë, ndërsa në korrik dhe në gusht, u afrohet katër ditëve, sipas statistikave të “AirDNA”.

Artikull i Monitor.al