Ekonomia

Të blejnë në Lek apo në Euro? Si përgjigjen shqiptarët

Të blejnë në Lek apo në Euro? Si përgjigjen

Përpjekjet për deeuroizimin e ekonomisë nuk kanë shumë mbështetje te publiku shqiptar.

Sipas një sondazhi të zhvilluar nga “Monitor” në faqen e saj të internetit dhe në rrjetet sociale, vetëm 28.6% e votuesve u shprehën në favor të masave që do të impononin përdorimin e Lekut në traksaksionet e brendshme ekonomike, duke ndaluar përdorimin e Euros.

Madje, pjesa më e madhe e votuesve do të ishte në favor të adoptimit të Euros si monedhë kombëtare e vendit. 37.85% e votuesve u shprehën në favor të kësaj alternative.

Ndërkohë, 33.5% e votuesve në sondazh është shprehur në favor të ruajtjes së gjendjes aktuale, duke vazhduar përdorimin e lirë të Lekut dhe të Euros në ekonominë shqiptare.

Bazuar në rezultatet e sondazhit, mund të thuhet se shumica e votuesve, 71.35% e tyre, nuk mbështesin masat që do të ndalonin përdorimin e Euros.

Të blejnë në Lek apo në Euro? Si përgjigjen

Vlerësohet se ekonomia shqiptare ka një shkallë mjaft të lartë euroizimi, megjithëse të vështirë për tu përcatkuar me saktësi, për shkak të pamundësisë për të matur sasinë e Euros që qarkullon jashtë sektorit bankar. Në fund të 9-mujorit 2023, pesha e depozitave bankare në valutë kundrejt parasë së gjerë (agregatit monetar M3) ishte 44%. Mbi këtë bazë, mund të thuhet se të paktën 44% e parasë në ekonominë shqiptare është në valutë të huaj dhe kryesisht në euro.

Megjithatë, duhet konsideruar se pesha e depozitave në valutë ndaj agregatit M3 në vitet e fundit është ndikuar negativisht nga efekti i kursit të këmbimit. Vetëm vitin e kaluar, kursi i këmbimit Euro-Lek u zhvlerësua me më shumë se 9%.

Besimi më i lartë i publikut në monedhën europiane ka bërë që Euro të përdoret si monedhë paralele në ekonominë shqiptare. Çmimet e pasurive të paluajtshme dhe e shumicës së aseteve afatgjata, në shumicën dërrmuese, janë të kuotuara në euro.

Megjithatë, euroizimi i lartë i ekonomisë shqiptare shtron disa probleme, sepse ekspozon një pjesë të madhe të shqiptarëve ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, ul e efektshmërinë e politikës monetare dhe mund të vështirësojë shënjestrimin e stabilitetit të çmimeve.

Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë nënshkroi një memorandum me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrres Financiare, me qëllim zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.

Kjo ishte përpjekja e parë konkrete për të marrë disa masa që tentojnë të ulin euroizimin e ekonomisë. Por, deri tani vetëm Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa rregullatore konkrete, që tentojnë të rrisin përdorimin e monedhës vendase në sektorin bankar. Këto masa tentojnë të rrisin kostot e ndërmjetësimit financiar në valutë dhe paralelisht ti ulin ato për Lekun.

Nga analizat e deritanishme, rezultatet e strategjisë së deeuroizimit kanë qenë të vogla, ndërkohë që Banka e Shqipërisë vëren se ndryshimet strukturore në ekonomi gjatë viteve të fundit, ku veçohet rritja e fortë e turizmit dhe zhvillimet inflacioniste, janë shoqëruar me ndryshime të politikave ekonomike dhe monetare, si dhe të sjelljes së agjentëve të ekonomisë reale.

Për këto arsye, është rritur vështirësia për dallimin e efekteve që lidhen ngushtë me masat e deeuroizimit.

*Ky artikull u publika nga Revista Monitor dhe u ripostua nga Tiranapost.al