Një euro këmbehet sot me rreth 104 lekë, vlerë e përafërt me atë që kishte monedha europiane pak muaj përpara zhvlerësimit të vrullshëm që mori kryesisht për shkak të ardhjes së turistëve në vendin tonë.
Ky rikthim i kursit erdhi pas ndërhyrjes së fundit të Bankës së Shqipërisë me blerjen e eurove në treg ndonëse jemi në pikun e sezonit turistik.
Sipas Bankës së Shqipërisë, nëse vijon mbiçmimi i lekut ndërhyrjet në treg mund të intensifikohen, ndërsa parashikon që euro do të ketë një stabilizim në muajin shtator.
Vlerësimet e Bankës Qendrore tregojnë se në mungesë të forcimit të kursit të këmbimit, norma e inflacionit do të ishte 2.5 pikë më e lartë.
Banka e Shqipërisë thekson se ecuria e ekonomisë shqiptare ka pasur ritme pozitive në pjesën e parë të vitit dhe pritet e njëjta tendencë edhe për muajt e ardhshëm.
Inflacioni në vend ka pësuar një ulje të konsiderueshme gjatë muajve të fundit duke prekur nivelin 4.2% në korrik. Por pavarësisht kësaj Banka e Shqipërisë thekson se do të vijojë rritja e normës së interesit pasi ka një sërë rreziqesh.
Banka e Shqipërisë parashikon që rritja ekonomike e Shqipërisë do të arrijë në 3.5% gjatë vitit 2023.