Ekonomia

Vlonjatët më të “shkathët”, si po fitojnë më shumë nga dhënia e shtëpive me qira

Vlonjatët më të “shkathët”, si po fitojnë

Në qytetet e mëdha turistike si Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda dhe Gjirokastra, çmimi mesatar i një apartamenti apo shtëpie në Airbnb mund të fillojë nga 30-50 euro për natë.

Për shtëpitë me dy ose më shumë dhoma dhe me pamje, çmimet variojnë nga 50-100 euro për natë, në varësi të ndërtesës dhe komoditeteve që ofrohen.

Nga të dhënat e AirDNA shohim që vetëm në kryeqytet ka 3023 mijë struktura në Airbnb, me 20% të totalit.

Por, duket se janë vlonjatët ata që janë treguar më të shkathët dhe kanë dhënë shtëpitë e tyre me qira. Në qytetin bregdetar, në qershor kishte 4701 struktura të listuara, ose 26% të totalit, e ndjekur nga Saranda, me 2635 listime (17% e totalit).

Durrësi, ndonëse ka një nga hapësirat më të mëdha bregdetare dhe me ndërtime të ngjeshura, kishte vetëm 1701 struktura të listuara, ose 11% të totalit.

Por, në Shqipëri, mund të gjesh akomodim në vlerën 15 euro për natë, sigurisht në kushte jo aq të mira dhe hapësirat e vendeve janë shumë të vogla.

Dhe janë këto struktura që rrisin çmimet mesatare në vend në 25 euro, një nga kostot më të lira në rajon por edhe në Europë sipas Voucher cloud.

Çmimi mesatar i akomodimit në Tiranë në platformat Airbnb ose Booking është rreth 40-45 euro për natë, sipas AirDNA. Ky fakt e bën kryeqytetin një destinacion të preferuar për të marrë një shtëpi apo apartament të përshtatshëm për pushime dhe udhëtime të shkurtra.

“Apartamenti im ka mobilim bashkëkohor, ndodhet në një nga zonat më të mira të Tiranës dhe qëndrimi kushton vetëm 40 euro/nata” – thotë Dizdari i Destiny Apartment.

Ai thotë se kërkesa më e madhe vjen nga vendasit dhe jo nga të huajt pasi vizitorët në Tiranë vijnë nga rrethet ku mund të kenë takime pune apo nevoja të tjera personale. Të njëjtën gjë pohon edhe Megi Petriti, nga Triplex house Tirana.

Në vendet bregdetare të Shqipërisë si Vlora dhe Saranda, çmimet mesatare të akomodimit në platformën Airbnb variojnë nga 64 deri në 67 euro/nata.

Kjo tregon se këto zona bregdetare kanë një gamë tërheqëse opsionesh akomodimi për udhëtarët dhe pushuesit, por sigurisht vlera e tyre ndryshon në sezonet e tjera, pasi këto vende janë tërheqëse për pushuesit vetëm gjatë verës.

Rrethi i Vlorës është edhe zona që ka më shumë listime në platformat online me 4071 të tilla, kryesisht në vijën bregdetare ku edhe çmimet janë më të larta.

Në Durrës, kampion i turizmit në Shqipëri për vitin 2022, akomodimi kushton mesatarisht rreth 72 euro/nata.

Në të njëjtën kohë, qyteti bregdetar ofron disa nga opsionet më të lira, me çmime të ulëta rreth 15 euro/nata. Ky aspekt e bën më të lehtë për turistët me një buxhet të kufizuar gjetjen e opsioneve të përshtatshme për ta.

Ksamili zë vendin e dytë në renditjen verore të AirBnB,

Jo më një “perlë e fshehur”, pasi u bë virale në TikTok, Shqipëria zë vendin e dytë në renditjen verore të AirBnB, me qytetin e bukur bregdetar të Ksamilit.

Platforma vë në dukje skenën turistike të Ksamilit “Shtrije në detin Jon, Ksamili ka një skenë turistike në zhvillim, det të qetë dhe trashëgimi të lashtë kulturore dhe historike.

Vlen për t’u përmendur zona arkeologjike e Butrintit, që përfshin rrënojat e qytetit të lashtë ilir dhe është vetëm 5 km në jug. Ndërsa Syri i Kaltër, një burim karstik me ujëra kristal, thellësia e të cilit ende nuk dihet, është 40 minuta me makinë, në rrugën midis Sarandës dhe Gjirokastrës.

Nga të gjitha destinacionet në këtë listë, Ksamili është padyshim qyteti më ekonomik në listën e 5 qyteteve më të kërkuara në Airbnb. Çmimet për një apartament fillojnë nga 22 euro, jashtëzakonisht të lira për një natë.

Vlen për t’u përmendur fakti që vendet e tjera janë kryeqytete ose qytete të mëdha të shteteve europiane si Londra, Roma, Barcelona etj.

Sipas një vëzhgimi në terren, çmimi mesatar i një dhome dyshe për një natë nga data 15 korrik deri më 31 gusht në Ksamil varion nga 50 deri në 115 euro.

Me plazhet me rërë të bardhë, atmosferën e qetë dhe detin e pastër kristal, është e lehtë të kuptosh pse ky vend shpesh krahasohet me Maldivet.

*Ky artikull u publikua nga Monitor.al dhe ripostua nga Tiranapost.al