Sa nje kafe nga Iva

Festa kombëtare, që rikthen tregtarët modernë të flamujve

Festa kombëtare, që rikthen tregtarët modernë të

Nga Iva Tiço/ Festat e nëntorit nga fëmijëria më sjellin ndërmend gjyshin, që nxirrte një flamur bezeje nga masandra e dhomës së tij të gjumit dhe e fiksonte në një nga ligustrat e ballkonit kryesor, atë që shihte në pjesën e përparme të shtëpisë me pamjen nga rruga e madhe. Vitin e parë që ai iku nga kjo jetë, rituali nuk u përsërit, ndërsa vite më pas do mësoja dhe arsyen e këtij patriotizmi të gjyshit: flamuri ngrihej çdo vit sipas kërkesës të atij shokut të Frontit Demokratik, ku gjyshi, si ish-zyrtar i kohës së Zogut, duhej të tregonte pendesën që i kishte shërbyer atij regjimi dhe besnikërinë e tij ndaj Pushtetit Popullor, që meqë kishte mbyllur një sy dhe i kishte hequr “qiraxhiun” e detyruar nga shtëpia, duhej që fasadën e shtëpisë ta përdorte për dekor patriotik për qytetin. Me ikjen e gjyshit nga kjo botë dhe shthurjen e ndadaltë të propagandës, flamuri nuk doli më nga masandra, ndërsa festa tek ne, si në shumë familje të tjera shqiptare, gëzohej mbi të gjitha për dy ditët e pushimit, që nëse qëllonin edhe afër fundjavës i jepte gjyshes dhe mamit (nën udhëheqjen e tyre edhe mua) mundësinë të bëheshin me themeli ato që në gjuhën grarishte quhen punët e Vitit të Ri: pastrim i shtëpisë në çdo cep, tundje e shkundje qilimash, larje xhamash, pastrim dyersh dhe i çdo qelqi në çdo bufe, librash në bibliotekë dhe pastaj një ditë çlodhje dhe mbledhje kockash. Nuk mbaj mend dreka festive. Kjo festë, si dhe të tjerat që nuk janë as Pashkë as ditëlindje, ngjante më shumë si një drekë të diele, ku të gjithë janë bashkë, por dhe nëse ndodh të mungojë dikush, nuk bëhej qameti.

Në të njëjtën mënyrë rrjedh festa edhe kaq vjet më pas, për mua. Puna në media njëzet vitet e fundit, ku punohet në shumicën e ditëve të pushimit, ka bërë që t'u zbehet rëndësia edhe shumë festave të tjera. Nëse ka ndodhur të punoj (sot për shembull isha në një regjistrim në një televizion, ku ishte një ditë si gjithë të tjerat për të gjithë), u jam zilepsur atyre që janë pushim dhe mbi të gjitha atyre që në këtë periudhë udhëtojnë: që në fillim të tetorit nxjerrin ofertat për udhëtime turistike me paketa për qytetet e vjetra evropiane në vendet fqinje dhe sigurisht në Stamboll, një nga destinacionet e preferuara të shqiptarëve, që pasi kanë mësuar emrat e sulltanëve njëri pas tjetrit nga telenovelat, më mirë sesa kryeministrat shqiptarë pas 1912-ës apo firmëtarët e Pavarësisë, shkojnë e festojnë në kopshtet e Topkapisë shkëputjen nga Porta e Lartë. Ngjan si një ironi e fatit, por pakkush e sheh si të tillë: nëse ke pushim dhe ke mundësi financiare, përse të mos bësh pak turizëm dhe pazar Krishtlindjesh?! Ndërkaq që të tjerë akoma, kur vjen puna për udhëtime, kanë në mend biletat vetëm vajtje, mundësisht në Gjermani. Apo një muaj më parë kanë mbushur formularët për Lotarinë Amerikane dhe me siguri ndërsa vënë poçat me shkëlqim në bredh, mërmërishin dëshirën “të më dalë lotaria, të më dalë lotaria”. Të tjerë me më shumë fat, si ish-kolegia ime për shembull, që e ka fituar lotarinë disa vite të shkuara, postojnë nga maja e Amerikës festa të mëdha, ku të gjithë dorë për dore kërcejnë vallet popullore shqiptare. Edhe mikesha ime në Londër gjithashtu poston foton e vajzës së saj, një kukull e bukur dhe e vockël, veshur kuq e zi, që bën shqiponjën me gishta. Një tjetër nga Franca, djalin që sa ka nisur të ecë me kapuçin e kuq. Atdheu duhet kaq shumë kur je larg tij! Na ndodh të gjithëve: edhe sikur një dtë të largohemi, shohim prej andej më të mirat e tij.

Ashtu si ata që janë larg, edhe shumë të tjerë që janë këtu, postojnë në Instagram. Kush flamuj, kush foto të vetat me fustan të kuq. Në rrjet festa është shumë shumë e bukur. Është aq e bukur dhe e ndjerë, sa në Facebook më bënë direkt gjyqin, se përse kam botuar recetën e një “muffin”-i me mollë përpara se të uroj “Gëzuar Festën!”

A duhet ta nxirrja dhe unë flamurin nga “masandra” me dëshirë dhe jo me detyrim-përcatim si gjyshi dikur, apo siç na këshillonte të bënim disa ditë më parë kryebashkiaku Veliaj? Ndoshta po, nëse do e ndjeja me shpirt do e bëja dhe nuk do të prisja të ma kujtonin, sepse kam këtë dreq zakoni që them dhe bëj vetëm gjërat që dua dhe jo ato që duhet e që bën gjithë njerëzia. Nëse do isha në Amerikë, për shembull, si njëra që më quan të paedukatë madje, se nuk po e shfaq atdhedashurinë, edhe do e bëja. Sepse nëse do jetoja në një nga ato vendet ku ndihesh qytetar i dorës së parë, ku paguan taksa dhe merr mbrapsht shërbime, ku nuk ke strese mbijetese e ankth për të nesërmen dhe ku pensionet dinjitoze e shërbimet sociale të sigurojnë që nuk do përfundosh në rrugë apo në mëshirën e të tjerëve, nëse do jetoja në një vend ku funksionon siç duhet drejtësia, shëndetësia, arsimi, ku nuk vidhesh, shtypesh, nëpërkëmbesh, ku nuk të shkon mendja nga mëngjesi në darkë se si të mbijetosh edhe ti duke vjedhur, shtypur, nëpërkëmbur të tjerët, krejt natyrshëm do isha e emocionuar që një natë më parë për festën që më priste. Nëse do jetoja në një vend dhe do të isha pjesë e një kombi ku ta ndjeja veten krenare që bëj pjesë sepse më del për zot edhe në fund të botës po të jem dhe jo në një vend ku morrnicat e patriotizmit na mbërthejnë vetëm kur luan kombëtarja e futbollit, kur shajmë grekët e serbët apo kur mbajmë fjalime për Shqipërinë e Madhe, atëherë po, ndoshta edhe 28 Nëntori do më vinte natyrshëm si festë. Atëherë po, do shtronim tryezat siç dimë të bëjmë ne shqipet, shumë më bollshëm sesa pikniku me të cilin amerikanët festojnë pavarësinë e tyre dhe do nxirrnim flamujt gjithë krenari nëpër ballkone. Por ja që ne nuk jetojmë në Amerikë por jemi në këtë vendin, që sot më kujton tregtarin e Ernest Koliqit, që e kishte mbushur dugâjën plot me flamuj me copë të mirë dhe ishte i shqetësuar se përse nuk po arrinte t’i shiste e të fitonte paret. Në kohën e sotme tregtia po ecën mirë: rrjetet sociale janë plot me flamuj kuqezi. Nesër pastaj do t'i kthehemi zakonit të vjetër, duke sharë e mallkuar këtë vend e duke bërë plane si t’ia mbathim prej tij një orë e më parë.