Showbiz

Gjergj Xhuvani, ikja e një klasiku të ri

Gjergj Xhuvani, ikja e një klasiku të ri

Në kinemanë shqiptare Gjergj Xhuvani nuk qe një emër më shumë. Që në të parët filma, që atëherë kur i peshonte aq shumë mbiemri i të atit shkrimtar, u kuptua që ishte ndryshe nga të tjerët. Për fat të mirë, ia doli të shkëputej edhe nga hija e mbiemrit të madh dhe të ecte shumë më përpara sesa filmat e parë që kishin një frymë më moderne sesa ata me të cilët qe mësuar publiku shqiptar deri në vitin 1990. Pas prodhimeve të para, në vitin 1995 ai realizoi filmin e tij të parë të rëndësishëm, ku ishte dhe skenarist: “E diela e fundit”, bazuar mbi romanin e të atit, Dhimitër Xhuvanit, “E nesërmja e një gruaje”, ku do të guxonte për herë të parë të prekte tema si prostitucioni, të sillte në ekran skena seksi dhe fjalorin e rrugës dhe mbi të gjitha të kishte si heroinë të këtyre skenave as më shumë e as më pak bashkëshorten, Luizën, që do të ishte fytyra e përhershme e filmave të tij, gjithmonë e ndryshme, për shkak të talentit të saj, por edhe të punës së Gjergj Xhuvanit si regjisor.

Nëse asokohe, ashtu si ai edhe shumë kolegë të tij, nisën të modernizohen dhe të bënin një kinema pak më ndryshe, Gjergji ia doli mbanë të mos ngecte në ato vite, por të bënte shumë më përpara. Të arrinte atje ku nuk kishte menduar kush, në festivalet e mëdha të filmit në kohën që Kinostudioja pushoi së ekzistuari dhe filmi shqiptar nisi të jetonte ditët e tij më të këqija, nga ku nuk ka dalë akoma. Gjergj Xhuvani ia doli bash në këtë kohë.

Diferenca nisi në vitin 1999 me “Funeral Biznes”, me metrazh të shkurtër dhe që merrte frymëzimin nga viti 1997. Pa dramat e tejskajshme që mbizotërojnë kinemanë shqiptare të pas '90-ës, Gjergj Xhuvani në këtë film bëri atë që di të bëjë më mirë: rrëfeu një ngjarje, thjesht, bukur. “Neorealizëm”, u tha për filmin e tij nga ajo pak kritikë që kemi këtu, por Venecia tha më shumë, duke e pranuar në konkurrimin e filmave me metrazh të shkurtër, duke u bërë i pari film shqiptar që arriti të ishte i pranishëm në këtë festival pretigjioz. Suksesin më të madh, në vitin 2001, atë me të cilin e lidhin të gjithë, e pati me “Parrullat”, pranuar nga të gjithë si një nga filmat më të mirë shqiptarë, që e shpuri regjisorin dhe trupën e tij drejt e në Festivalin e Kanës. Pastaj, në vitin 2004 erdhi “I dashur armik”, bazuar mbi një histori familjare dhe në 2008-ën “Lindje, perëndim, lindje”. Telefilmi me pesë seri “Në kërkim të kujt” është e fundit punë e Gjergj Xhuvanit, regjisorit që me filmat e tij i dha vulën filmit shqiptar të pas Nëntëdhjetës, në vendin ku nuk ka më as shtëpi prodhimi filmash si dikur dhe ku bërja e filmave duket si një lavdi e të shkuarës. Ai tregoi që filmat nuk kanë vdekur dhe se edhe në Shqipëri mund të bëhen si në gjithë Evropën, pa pasur buxhetet e mëdha dhe teknologjinë e përparuar. Mjafton vetëm talenti për të rrëfyer në mënyrë realiste dhe me aq humor, si Gjergji. Duhet edhe zemra për ta bërë.

Por ja që Gjergji iku shumë herët!/ Tiranapost.al/ Nga Iva Tiço

*Nuk lejohet publikimi në portale të tjera.

http://www.tiranapost.al/ndahet-nga-jeta-gjergj-xhuvani-ndodhej-ne-rome-per-xhirimin-e-nje-filmi/