Aktualitet

Gruaja edhe kur vret, e bën nga halli! Diskutime në Komisionin e Sigurisë ku u miratua në parim Amnistia!

Gruaja edhe kur vret, e bën nga halli! Diskutime në Komisionin e

U miratua sot në parim, nga komisioni i Sigurisë, vendimi qeveritar për Amnistinë, me dy ndryshime të diskutuara. Por në Komision pati kundërshti. Spartak Braho u shpreh kundër mënyrës se si është hartuar aministia. Ai tha se është jo humane kërkimi i lirimit nga burgu i jo të gjitha grave të dënuara.

Ai tha:

"Drafti është i njëjtë me atë të 2016. Pse nuk amnistoni shpifjen, fyerjen? Mendja më thotë se jeni selektivë, mund ta kem edhe gabim. Kjo amnisti nuk ka humanizëm, të tëra gratë duhet të dalin nga burgu. Gruaja edhe kur vret, vret nga halli, edhe kur bën vetëgjyqësi e bën nga halli. Gruaja lë familjen, lë fëmijët. Duhet të jemi më humanistë me gratë dhe moshat e reja. Ai shtet që bën amnisti është shtet i fortë, nuk është i dobët. Nuk trembet shteti serioz nga ata që dalin nga qelitë".

Por deputetja Felaj doli kundër dhe tha: "Nëse ka shkelur ligjin, cdo njeri duhet të dënohet. Nuk është rasti që dikush të dalë sikur është mbrojtës më i mirë i grave apo të miturve".

Ministrja Gjonaj tha se do përjashtohen nga amnistia; pra ulja e dënimit për të dënuarit me rrezikshmëri të lartë sin ë rastin e Endrit Dokles, që gjykata i njohu 5 vite ulje nga amnistia ndër vite.

Ajo tha:

"Sakrifikova mbledhjen e qeverisë sot për të vijuar mbledhjen për amnistinë. Lirimin e disa subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë. Edhe unë i kam marrë masat dhe kam reaguar duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë reagimin e përshtatshëm dhe për këtë arsye kemi qenë të kufizuar për kriteret dhe kategoritë e atyre që përfitojnë. Ka një problematikë që nga amnistitë e mëparshme janë përfshirë të gjitha kategoritë pa vënë kriter ndalues dhe duke u krijuar mundësi përfitimi atyre me rrezikshmëri të lartë. Dhe nëse sot gjykata ka njohje të amnistinë për ata të dënuar me burgim të përjetshëm, ata kanë përfituar nga amnistitë e mëparshme. Kategoritë e caktuara nuk kanë pasur ndalesë duke u ulur dënimin 1, 1.5 apo dy vite nga dënimi i tyre. Burgjet kanë një sërë problematikash. Problematika e burgjeve nuk vjen sot ka qenë që në fillim. KÇK-ja nuk është në qeveri ne po luftojmë të gjithë ata që shkelin ligjet. Amnistia nuk ka qellim uljen e mbipopullimit në burgje. Kemi 800 vende të lira, por në Shënkoll pati dëmtime nga tërmeti dhe u dërguan në Reç". 

Deputeti i opozitës së re, Myslim Murrizi tha se nuk ka mbetur më dinjitet në këtë shtet, duke akuzuar maxhorancën se e ka ndryshuar kodin penal si i do qejfi.

Ai tha:

Do ishte mirë që amnistia të bëhej para vitit të ri. Nuk ka mbetur më pikë dinjiteti në këtë shtet e qeveri. E keni ndryshuar Kodin Penal si ju do qejfi. Do dënoni ‘Zogun e Tiranës’, e keni përdorur për vota. Do të vlerësoja shumë nëse je parashikuese ( i drejtohet ministres Gjonaj). Na thuaj kur do jetë tërmeti tjetër?”.

Përllogaritja e atyre që do të përfitojnë do të nisë në momentin që Presidenti Ilir Meta do dekretojë amnistinë. 731 të dënuarit e fundit që patën mundësi të liroheshin nga amnistia i përkasin vitit 2016.

Sipas vendimi të qeverisë, ju tregojmë si më poshtë kategoritë që përfitojnë nga aministia:

1. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

2. Amnistohen personat e dënua, femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

3. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.

4. Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.

5. Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.

6. Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

7. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

8. Të gjithë të dënuarat femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale.

Porjektligjin e plotë, të miratuar sot në parim, mund të lexoni të plotë këtu. / Tiranapost.al.