Histori Personale

Dëmtimi në tru i burrit tim na e ndryshoi jetën përgjithmonë

Dëmtimi në tru i burrit tim na e ndryshoi jetën

Jam ulur pranë karrocës që burrit tim Alex dhe po e ushqej në piknik. Ndërkohë po mendoj se si ai kurrë nuk do më surprizojë sërish me ndonjë darkë romantike në restorant. As nuk do më shkruajë ndonjë pusullë për 10-vjetorin e martesës sonë.

Alexi im, njeriu që kishte qenë para dëmtimit në tru, nuk do të kthehej më.

Kur u takuam për herë të parë në vitin 2000 ishte dashuri me shikim të parë. Pas 48 orësh pyeti nëse doja të martohesha me të dhe iu përgjigja Po.

9 muaj më vonë sollëm në jetë fëmijën tonë të parë dhe në vitet e ardhshme u bëmë edhe me tre të tjerë.

Alex ishte 32 vjeç kur ndjeu shqetësimin në kokë. Skaneri dalloi një mpiksje gjaku në tru. Simptomat po shtoheshin dhe e futën në sallë. I rrezikohej jeta. U ndjeva fare e pafuqishme, u tërbova. Kirurgët u detyruan të hiqnin ¼ e trurit të tij për t`i shpëtuar jetën. Pas ndërhyrjes hyri në koma.

Kur e pashë për herë të parë mes tubash e telash, mes aparaturash që e mbanin në jetë mbeta pa frymë.

Kisha shumë miq që më qëndruan afër, ndërkohë që fëmijët ishin tek prindërit e tij.

Mendoja se do ta kalonim.

Dy ditë më vonë përjetoi një goditje të dytë në tru dhe më thanë që kishte zero shanse për të shpëtuar. Qëndroi në gjendje kome për 4 muaj. Gjatë kësaj kohe fitova instiktin e mbijetesës dhe mendova që duhej të isha edhe më e fortë për fëmijët.

Gjatë ditës kryeja gjithë veprimtaritë e përditshme, kurse në mbrëmje qaja në shtrat me dënesë. U tregova fëmijëve video nga spitali dhe i thashë që babi i tyre s`do ishte më kurrë i njëjti. Neurokirurgët më konfirmuan makthin tim më të keq. Alex nuk shikonte më dhe as nuk do mund të hante vetë e të fliste.

U shndërrova në prind i vetëm brenda natës, me katër fëmijë të vegjël. U ndjeva e humbur pa Alex. Ai ishte ende gjallë, por njeriu me të cilin unë u martova, nuk ishte më. Doli nga spitali, por sakrificat vazhdonin.

U bëra edhe kujdestarja e tij. E ushqeja, e çoja në spital, merresha me fëmijët, me shtëpinë, me financat. Shumë familjarë më qëndruan pranë. Alex u bë edhe agresiv fillimisht. Nuk e kuptonte çfarë i kishte ndodhur.

Përshtatja ishte shumë e vështirë.

Alex kërkon kujdes ende sot, gjatë gjithë kohës, por unë e dua. Mezi pres të kthehem në shtëpi nga puna që ta takoj. Duhet të filloj të kërkoj një punë nga shtëpia, që ta kem gjithmonë nën kontroll, edhe pse kam dy zonja që më ndihmojnë me të.

Është sfiduese, por e di që ai do kishte bërë të njëjtën gjë për mua.

Dëmtimi i trurit nuk bën vetëm kërdinë në trupin e njeriut, por prish gjithë ekuilibrat e familjes. Fëmijët dhe unë po njohim një tjetër njeri dhe po përpiqemi të kujdesemi për të. Kjo përvojë na ka afruar më shumë, kjo është e vetmja e mirë që sëmundja na bëri.

*Burimi Metro