Histori Personale

Ditëlindja ime pa muzikë!

Ditëlindja ime pa muzikë!

Më pëlqen jeta e natës, por edhe mund të bëj pa të. Veç ditës që doja! Ditës sime të lindjes. Nuk jam rasti i një vajze që organizon party me tullumbace dhe temë të caktuar, apo që vendos një kod veshjeje, por i asaj që pikërisht në ditën e lindjes deri vitin e kaluar i ka ikur Tiranës dhe njerëzve (veç familjes).

30-ta mund të ngjajë si një ‘ndryshim’ i madh në jetën e dikujt, por për mua është numër që tregon shumë, atë që ka kaluar dhe atë që pret. Ndaj vendosa ta festoja!

Për fatin tim (as të mirë, e as të keq) vetëm dy ditë para festës, një organizim modest me disa nga mikeshat e zemrës, u dha vendimi për të ndaluar muzikën pas orës 20:00 dhe klubet e natës për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me Covid. Komenti i parë: çfarë fati! Mund të shkonte dhe 'më keq', e dinë ata që e kaluan ditëlindjen në karantinë.

Pavarësisht gjithçkaje ishte një festim pa mundime, pa kokëçarje, thjesht një mbledhje për të pritur mesnatën me ato që janë bërë një familje e dytë.

Ideja për një party-pizhama u hodh, por nuk qëndroi. Një festim i tillë duket se i takon më shumë brezit të kaluar të 30-vjeçarëve, ne duam muzikë, të kërcejmë dhe po, duam njerëz.

Në fakt vetëm këto që nuk prisja që të ndodheshin në një të mërkurë mbrëmjeje (ora 22.00) ku ndalohet edhe ajo muzika në sfond. Zgjodha një nga lokalet në zonën e njohur si ‘Rruga e Salës’ dhe telefonata me menaxherin ishte: ‘Nuk ta rezervojë dot tavolinën, pasi do të vinë njerëz!’ Mu duk një batutë ose një mënyrë mendova për të shtuar më shumë ‘prestigj’ vendit, por personi në fjalë kishte të drejtë. Lokali ishte plot. Maskat stafi i mbante gjithë kohës. Distancë mes njerëzve nuk kishte siç e do rregullorja. Por ama nuk kishte as muzikë. 

E njëjta situatë edhe në 2 apo 3 lokalet përballë, ku mund të dalloje qartë se ishin të tejmbushur. Por muzikë nuk kishte.

Ne nuk kërcyem, as nuk kënduam vetë. Pati momente batutash e serioziteti, në asnjë moment heshtje. Momenti surprizë dhe më i sikletshëm (për mua) i tortës u shoqërua me urimin klasik akapela të ‘Happy Birthday’, pa muzikën në sfond. Nuk mund të rrezikojë askush gjobë për ta bërë 10 sekonda atmosferë bukur për ty.

Si gazetare që ndjek lajmet çdo ditë, por edhe si një 30-vjeçare tashmë, mendoj që pandemia duhet marrë seriozisht dhe më shumë sesa masa të ashpra, disa spote ndërgjegjësimi do bënin më shumë punë. (Nga J.Ç., gazetare Tiranapost)

Ditëlindja ime pa muzikë!
Foto e bërë pas mesnate