Histori Personale

E adhuroja të bashkëprindëroja me ish-burrin dhe kur ai vdiq, bota m`u shemb

E adhuroja të bashkëprindëroja me ish-burrin dhe kur ai vdiq,

Divorci ka një avantazh. Është ajo që unë e quaja 'shtrirje'. Katër ditë, çdo dy javë kur fëmijët shkonin në shtëpinë e babait të tyre. Jo se ishte e lehtë në fillim. Muajt e parë pasi u ndamë, unë qaja sa herë që i përcillja fëmijët në shtëpinë e babait të tyre Erikut. Shpejt filloi të më pëlqente ai pushimi nga prindërimi dhe isha një nënë më e mirë kur Ryan dhe Haley ktheheshin në shtëpi.

Erik gjithashtu u bë një baba më i mirë. Ai filloi të gatuante me fëmijët, duke provuar receta të reja dhe duke ndjekur kuzhinierët e preferuar në YouTube. Kalonte më shumë kohë cilësore me të dy fëmijët.

Divorci më dha lirinë nga prindërimi, diçka që nuk kisha pasur kurrë. Unë mund t'i çoja fëmijët tek Erik nëse do të dilja me një të dashur ose do qëndroja jashtë natën vonë.

Me kalimin e kohës, Erik dhe unë arritëm të bëheshim miq. Më shumë se katër vjet pas divorcit, ne bashkë-prindëruam më së miri dhe i merrnim vendimet për fëmijët të gjithë bashkë si një ekip.

Kur mendova të adoptoja një qen dy vjet më parë, fillimisht bisedova me Erikun. 'Unë nuk jam gati 100%', i thashë. 'A mund ta ndajmë bashke edhe atë?' Erik qeshi dhe ra dakord, dhe qeni ynë ikte e vinte nëpër shtëpitë tona. Gjatë pandemisë, bleva një pishinë dhe Erik ishte personi i parë që ftuam. Ne nuk ishim më të martuar, por ishim ende familje.

Prillin e kaluar, Erik pati një emboli pulmonare që e çoi në koma për 10 ditë. Pasi e rimori pak veten, gjashtë muaj më vonë, pësoi një goditje në zemër. Unë isha larg, për një fundjavë me të dashurin tim, por djali ynë Ryan, 15 vjeç, i qëndroi babait të tij tek koka për ta ndihmuar.

U shqetësova për shëndetin e Erik edhe pse dukej se po shërohej. Megjithatë nuk e prisja telefonatën e Haley një pasdite kur më tha: ‘Ryan mendon se babi ka vdekur!'.

I dashuri im dhe unë shkuam tek Erik në më pak se tre minuta (se i kishim shtëpitë afër). E gjetëm pa puls. U përpoqa t`i bëja CPR, por nuk u rikthye.

As mjekët e urgjencës nuk e shpëtuan dot. Kur i thashë lamtumirën babait të fëmijëve të mi, i bëra edhe dy premtime që do t'i mbaj përgjithmonë.

E pata të vështirë t`ua jepja lajmin fëmijëve të mi. Vajza s`kishte bërë 11 vjeçe. Ditët e para i mbaja në prehër teksa qanin dhe u thosha: Më vjen keq! Ditët që pasuan shprehja ime u zëvendësua nga “Do të jetë mirë. Gjithçka do jetë në rregull”.

Tani nuk kam vetëm 100% përgjegjësinë për një qen, por 100% përgjegjësinë edhe për jetën e fëmijëve të mi.

E adhuroja të bashkëprindëroja me ish-burrin dhe kur ai vdiq,

Bashkëprindërimi do të thoshte se merrja një pushim çdo dy javë. Do të thoshte gjithashtu që Erik dhe unë po i rritnim fëmijët tanë së bashku, edhe pse ishim të divorcuar. Se nuk po merrja çdo vendim, të madh e të vogël, vetë. Se kisha dikë që të bisedoja për sfidat e prindërimit, dikë për të festuar kur një nga fëmijët tanë bënte diçka të mahnitshme, dikush që ndante të njëjtat kujtime. Dikush që i donte po aq sa unë. Unë isha mësuar të isha një prind i vetëm kur fëmijët ishin me mua, por kurrë nuk kam menduar, apo dëshiruar, të jem një prind i vetëm.

Sot, jam edhe më e dhënë se më parë. Gatuaj, i ndihmoj me detyrat e shtëpisë dhe e çoj Haley-n në shtëpitë e miqve të saj. I mësoj ata të lajnë rrobat, të kujdesen për të tjetër, por edhe për veten. Sot i përqafoj edhe më shumë. I them më shpesh sa shumë i dua dhe i tregoj se jam aty për ta në çdo moment që të kenë nevojë.

Puna ime tani nuk është vetëm të prindëroj. Është të qëndroj e gjallë. Gjithsesi ndihem e lodhur. Dhe, në netët më të këqija, ndihem e dërrmuar. Jam vetëm një dhe duhet t`i nxjerr në jetë këta fëmijë. E kuptoj që nuk jam e vetme. Pavarësisht nëse prindërit janë beqarë sipas zgjedhjes ose rrethanave, ka miliona nëna dhe baballarë që bëjnë punën e dy prindërve, vetë, çdo ditë, ditë pas dite. Në fund të fundit, gati një e katërta e fëmijëve në Amerikë jetojnë në familje me një prind. Ky fakt, megjithatë, nuk lehtëson kërkesat e përditshme të prindërve, ose nuk pakëson presionin që ndiej tani për të jetuar, nëse jo sa më gjatë, të paktën aq sa duhet.

Unë nisa të kujdesem për veten para se të vdiste Erik. Kam lënë duhanin dekada më parë. Ha (kryesisht) të shëndetshëm. Por shëndeti im nuk ishte përparësi si tani. Ecja me shpejtësi në autostradë. I shtyja takimet me mjekët. Pastroja xhamat në majë të dritares e s`kisha frikën që kam tani se mos bie poshtë. Nuk e kisha rinovuar testamentin tim që 14 vjet më parë. Kam bërë mamografinë që e kisha shtyrë për tre vjet. (Gjithçka mirë.) Kolonoskopinë që do ta shtyja për pesë. (Gjithçka mirë.) Bëra analizat e gjakut. (Gjithçka mirë.) Shkrova një testament të ri. Zgjodha kujdestarë për fëmijët e mi dhe organizova të gjitha dokumentet e mia financiare. Një ditë mora frymë më gjatë dhe më thellë që munda ula fëmijët e mi dhe u thashë atyre me kë do të jetojnë nëse diçka më ndodh mua.

“'Unë do të bëj gjithçka që mundem për të qëndruar gjallë për ju. Por nëse diçka ndodh, unë premtoj se do të jetë mirë. Do të jeni mirë”, u thashë.

Ata s`kanë pse të dinë që unë për këtë të fundit përpiqem të bind edhe veten çdo ditë.