Histori Personale

E urrej nënën në të cilën Covidi më ka shndërruar

E urrej nënën në të cilën Covidi më ka

Kristen Howerton/ Të enjten e kaluar, i çova djemtë e mi 14 dhe 15 vjeç në parkun e patinave afër shtëpisë sonë. Unë jam një prind që vlerësoj fëmijërinë e jetuar jashtë shtëpisë. Për këtë qëllim, kam qenë mjaft liberale me katër fëmijët e mi, por ndërsa ata u nisën për në park, unë u dhashë një paralajmërim që ende pas 8 muajsh pandemi duket i çuditshëm: Mbani maskat!

Ata aprovuan dhe u larguan.

Në kohët para Covid-it, në vend që t`i kujtoja për maskën, u kujtoja orarin kur i prisja në shtëpi dhe nuk e mbaja më mendjen tek ta deri sa të ktheheshin në shtëpi, pak para darkës, të lodhur, të djersitur, por të lumtur .

Por në kohët e Covid-it, sa më shumë që qëndrojnë jashtë shtëpisë aq më shumë fillon të krijohet një histori në mendjen time. A po i mbajnë vërtet maskat? Ata janë fëmijët e vetëm që kam parë të mbajnë maskën në park. A do të jenë të përgjegjshëm, apo do të bien pre e presionit shoqëror? Po bëj gjënë e duhur duke i lënë të dalin? A është kjo vërtet e sigurt? A do të na zërë Covidi tani që ata shkuan për patinazh?

Detajet mund të jenë të ndryshme për secilën familje, por këto janë llojet e pyetjeve që prindërit e adoleshentëve i bëjnë vetes tani. Si psikoterapiste, jam e shqetësuar. Detyra më e rëndësishme me të cilën përballen adoleshentët është të shkëputen nga prindërit e tyre dhe të bëhen qenie të pavarura. Në një kohë që supozohet të bëhej shkëputja nga prindërit dhe të kalonin më shumë kohë me bashkëmoshatarët, një brez i tërë adoleshentësh janë mbërthyer në shtëpi pas prindërve.

Asnjëherë nuk e kam imagjinuar se do të kisha një dilemë morale rreth asaj nëse dua t'i lejoj fëmijët e mi të qëndrojnë me bashkëmoshatarët e tyre apo me mua. Para pandemisë, shtëpia ime ishte zakonisht plot me fëmijë, dmth të mitë dhe shokët e tyre. Unë e di që mendja e një adoleshenti është e krijuar në mënyrë të tillë që të ketë më shumë respekt për bashkëmoshatarët sesa për prindërit dhe strategjia ime ka qenë: "Nëse nuk mund t'i mundësh, bashkohu me ta". Ndaj u përpoqa ta orientoja shtëpinë në atë strehëzën që mirëpriste gjithmonë miqtë. Bleva devijime patinash, një trampolinë dhe më shumë patina nga sa familja ime kishte nevojë për t`i pasur për mysafirët. Sigurisht, fëmijët e mi mund të largohen natyrshëm nga unë në këtë moshë. Por të paktën të ndodhte nën vëzhgimin tim.

Kur shkollat ??u mbyllën në pranverë dhe unë fillova t'i bindja fëmijët e mi të ndiqnin udhëzimet për distancimin shoqëror, e pashë taksën që na shkaktoi kjo. Ata ndiheshin të vetmuar. Kishin mall për miqtë e tyre. Mendonin për festat e humbura të shkollës, festat e ditëlindjeve dhe aktivitetet sportive. Ata po silleshin nervozë ndaj meje dhe me njëri-tjetrin. Fillimisht, po përballeshin me FaceTiming dhe u dërgonin mesazhe me telefon shokëve. Por me kalimin e kohës, vura re që u ra ritmi, u lodhën nga kjo metodë. Unë mendoj se fëmijët e mi, si shumë të tjerë, po përjetonin një dëshpërim kolektiv dhe mungesa e ndërveprimit real ballë për ballë po u krijojnë ndjenja izolimi dhe trishtimi, edhe pse ishin të rrethuar nga familja gjatë gjithë ditës.

Fëmijët e mi janë të sigurt se unë jam duke i respektuar rregullat e Covid-it më shumë se çdo prind tjetër. Janë të sigurt që unë po “mbaj anën e Covid-it”. Nuk është kështu, por i kuptoj gjithsesi që kanë të drejtë ta mendojnë kështu. Nga sa shohin në Instagram, ata janë të vetëdijshëm se disa nga bashkëmoshatarët e tyre nuk kanë përjetuar një ndryshim drastik në jetën e tyre shoqërore ose rregullat e sigurisë. Miqtë e tyre po vazhdojnë të mblidhen, thjesht jo më në shtëpinë tonë. Kjo gjë është konsideruar si një humbje e thellë nga fëmijët e mi. Herë ndihem fajtore dhe çlirohem. Herë të tjera ndihem nervoze dhe shtrëngoj frenat.

Dhe deri ku arrita?

Arrita të shkoja fshehurazi pas tyre, t`i ndiqja në park dhe të shikoja a i mbanin maskat. E gjeta veten duke i ulëritur para miqve të tyre, sepse në fakt nuk i kishin vënë.

Nuk dua të jem nëna që përgjon fëmijët e saj dhe që për më tepër u bërtet në publik dhe në sy të shokëve, por ja ku jam.

Nuk më pëlqen mamaja në të cilën Covid-i më ka shndërruar. Unë nuk dua ta drejtoj shtëpinë time si një shtet policor, ose të kontrolloj çdo lëvizje të fëmijëve të mi, ose t'i dekurajoj ata të kalojnë kohë me miqtë. Por si fëmijë që vuajnë nga astma me një sistem imunitar të dobët, nuk dua të infektohen dhe as të jenë përgjegjës për infektimin e dikujt tjetër.

Kështu që përpiqem të gjej mënyrat se si mund t'u jap fëmijëve të mi autonominë që u nevojitet duke qëndruar të sigurt. I le të lyejnë flokët e tyre me ngjyra të çuditshme. Kam ulur pritshmëritë për standardet e mia në nota (rezultatet e shkollës). Kemi ridekoruar çdo dhomë gjumi për specifikimet e tyre. U kam lënë më shumë kohë të lirë para televizorit dhe flenë më vonë.

Në mes të shqetësimit tim në rritje rreth asaj se si e gjithë kjo po ndikon në shëndetin mendor të fëmijëve të mi, vazhdoj t`u rikthehem parimeve mbi atë që kanë nevojë për adoleshentët. Ndjeshmëri. Dashuri e pakushtëzuar. Një nevojë për t`u njohur dhe dëgjuar si njeri i rritur. Unë përpiqem t'i jap këto gjëra me tepri. Unë pikëllohem për humbjet dhe zhgënjimet e tyre bashkë me ta dhe kujdesem që të mos minimizoj zhgënjimet e tyre këtë periudhë. I lë ata të shajnë dhe ankohen dhe përpiqem të dëgjoj pa dhënë zgjidhje të shpejta.

Pranoj para tyre se nuk po më pëlqen mënyra se si po prindëroj dhe iu kërkoj falje. U bëj premtime për gjërat që do të bëjmë kur të mbarojnë të gjitha këto.

*Kristen Howerton autore e “Rage Against the Minivan"

*Artikulli i New York Times u përshtat në shqip nga Tiranapost.al