Histori Personale

‘Çfarë më mësoi vetëvrasja e nënës sime’. Historia e vërtetë e një gazetareje në ditën botërore të parandalimit të vetëvrasjes

‘Çfarë më mësoi vetëvrasja e nënës

Sot është dita botërore e parandalimit të vetëvrasjes. Vetëm në Itali vrasin vetën çdo ditë mesatarisht 10 njerëz. Edhe në Shqipëri pasqyrohen vazhdimisht raste vetëvrasjesh. Ndaj sot është e rëndësishme të kujtojmë rëndësinë e shëndetit mendor dhe të lexojmë letrën e një gazetareje amerikane, nëna e së cilës i ka dhënë fund jetës.

Është e vështirë, e dhimbshme dhe gati e pamundur të zbulosh përse-në apo fajtorin pas këtij akti final. Mendja dhe shpirti i këtyre njerëzve shndërrohen në hermetike, pak para se të vendosin për të ikur.

Letra e Kelley-t

Isha 13 vjeç kur kuptova që nëna ime nuk donte të jetonte. Një natë, gjatë pushimeve të Pashkëve u zgjova nga dritat dhe sirenat e ambulancës. Pashë nga dritarja dhe në barelën e urgjencës ishte nëna ime, e lidhur me litarë dhe që përpëlitej.

Të nesërmen babai më çoi tek një shoqja ime dhe rrugës për atje më tha: Mami është sëmur. Ka pirë shumë qetësues mbrëmë dhe një shishe të tërë me verë. E pyeta: I piu të gjitha? Të gjitha, më tha dhe qau. Nuk e kisha parë kurrë babain të qante.

Të nesërmen doli nga spitali. Po e shikoja të shtrirë në shtratin e saj. E lodhur, e brishtë, por shumë e bukur. Nuk më tha asgjë për atë që ndodhi. As babai nuk e përmendi më. Ecëm përpara, ose ashtu menduam.

Kjo ishte hera e parë që kuptova gjendjen e nënës time. Ose më mirë të them që e pranova gjendjen e saj, pasi diçka kisha nuhatur edhe më parë. Në vazhdim i kaloi ditët në dhomën e motrës dhe vëllait tim, më të vegjël. Ishte shkëputur nga puna, kolegët, miqtë. Shijonte vetëm mëmësinë brenda katër mureve.

Një ditë pashë në sirtarin e saj litium, diazepamin, antabuzë, të gjitha për të trajtuar ankthin, depresionin dhe problemet me alkoolin. Nëna ime po shkonte drejt greminës.

Me rritjen kuptova që s`mund të bëja shumë nga gjërat që bashkëmoshataret e mia bënin me nënat e tyre. Unë s`mund të dilja për shopping me të se ajo nuk donte. Restorantet e shqetësonin. Një koment i imi një natë për byrekun e saj me limon, për pak e çoi drejt vetëvrasjes.

Ne e donim shumë njëri-tjetrin, por s`dinim si ta ndihmonim.

Problemet e saj më ndikuan dhe mua. Më morën lejen e drejtimit, më arrestuan për posedim marijuane dhe dehje. Jam lidhur me burra sa dyfishi i moshës sime. Kam bërë terapi me psikolog për shkak të ankthit.

Largimin pastaj për në universitet e pashë si një mundësi për të ndryshuar, për t`u pjekur. Doja t`u tregoja prindërve dhe vetes se mundesha. Largimi më bëri mirë. I dha tjetër frymë marrdhënieve tona. Notat i kisha të mira. Shumë gjëra ndryshuan veç depresionit të nënës sime.

Katër herë tentoi vetëvrasjen. Unë vazhdimisht pyesja veten: Si mund ta bësh dikë të dojë të jetojë?

Pastaj erdhi dita më e keqe e jetës sime. Isha në shtëpi dhe sapo isha ndarë nga i dashuri. Nëna po gatuante pranë sobës. Më tha të çoja motrën në kinema për një film fëmijësh, por refuzova. Isha e mërzitur. Doja thjesht të më thoshte që më kuptonte e të mos e vrisja mendjen, por jo. Ajo pati një krizë nervore më tha mes ulërimash që gjithmonë kisha qenë egoiste. Kurse unë iu përgjigja: Zhduku nga jeta ime. Nëna u zhduk vërtet 24 orë më pas. Nuk e di nëse e kishte blerë armën para apo pas debatit tonë. Kam 15 vite që më torturon kjo pyetje. Përpiqem të kujtoj çdo detaj të asaj dite. Për një kohë të gjatë fajësova veten. Ende s`jam e bindur në pafajësinë time.

E di, kishte tentuar edhe katër herë të tjera. Bëra seanca. Takova edhe psikiatrin e saj. E pyeta a kisha unë faj. Ai më tha që gjendja e saj ishte e ngarkuar. Ndoshta vetëm 1% e veprimeve të mia i ka ndikuar. 1%? Domethënë i kisha ndikuar.

I hyra kërkimeve për të kuptuar kur i ishte filluar depresioni. Hapa ditaret e saj. Takova hetuesit e çështjes, por pas çdo përgjigjjeje, kisha më shumë pyetje.

Kam shëtitur botën. Kam shkuar në Francë, Greqi, Kolorado, por dy ndjenja më kanë shoqëruar kudo: frika e një predispozite gjenetike dhe dhimbja.

Një ditë vendosa të ndaloja. Ndalova se investiguari jetën e nënës sime dhe vendosa të krijoja jetën time. Pa frikë. Pa mëri. Pa akuza.

‘Çfarë më mësoi vetëvrasja e nënës
Kelley me vajzën

U bëra gazetare, punoj, jam e dashuruar, e martuar, jam bërë nënë dhe me kohën kuptova atë që bëra unë e që nëna ime s`e bëri për t`i shpëtuar ferrit.

Të kuptosh dhe përmirësosh veten është antidoti më i mirë për dhimbjen.

*Burimi Roba da Donne