Histori Personale

Historia e trishtë e Marie Tussaud që fshihet pas punimeve të saj prej dylli

Historia e trishtë e Marie Tussaud që fshihet pas punimeve të saj

Nuk ka njeri mos të ketë dëgjuar të paktën një herë për Marie Tussaud dhe skulpturat prej dylli.

Muzeu prej dylli që mban po emrin e saj është një nga më të famshmit në Londër që tërheq turistë nga e gjithë bota.

Por arti i dyllit nuk dukej gjithmonë kështu. Ka një histori drithëruese dhe pak të frikshme pas kësaj.

Jeta e hershme e Marie dhe arti i saj i krijimeve prej dylli

Madame Tussaud lindi si Marie Grosholtz në 1761-shin në Strasburg, në Francë, pak pasi babai i saj, Joseph Grosholtz, u vra në luftë. Nuk e njohu kurrë. Ajo e kaloi fëmijërinë në Bern, në Zvicër, në shtëpinë e Dr. Philippe Curtius, ku nëna e saj punonte si shtëpiake. Curtius, të cilin Marie e quante xhaxha i mësoi asaj artin e modelimit të dyllit.

Në moshën 15 ose 16 vjeç, bëri punën e saj të parë - figurën e filozofit, Volteri. Më vonë, Tussaud krijoi shumë figura të njerëzve të famshëm të atyre kohërave, duke përfshirë Jean-Jacques Rousseau dhe Benjamin Franklin. Marie gjithashtu u bë e preferuar në pallatin e Versajës dhe i mësoi modelimin Elizabeth, motrës së Louis XVI, Mbretit të Francës.

Revolucioni francez dhe roli i veçantë i Madame Tussaud

Në 1789, kur shpërtheu Revolucioni Francez, të dy Marie Tussaud dhe mësuesi i saj, Philippe Curtius, u akuzuan për simpatinë mbretërore që kishin. Marie u arrestua dhe koka e saj u rrua për ta përgatitur për ekzekutim, por për fat të mirë, u la e lirë falë një prej mbështetësve të Curtius.

Gjatë kohërave të vështira të revolucionit, Tussaud dhe Curtius morën një rol të ri dhe të tmerrshëm. Ata do të bënin maska vdekjeje për njerëzit që ekzekutoheshin. Në ato ditë, fotografia ende nuk ekzistonte dhe maska të tilla u krijuan për të mbajtur gjallë kujtimin e personit pas vdekjes së tyre ose u përdorën më tej për pikturimin e portreteve.

Besohet se gjatë këtij misioni të trishtë e të vështirë, Marie krijoi maskat e Louis XVI, Marie Antoinette dhe Jean-Paul Marat.

Fama dhe trashëgimia e Madame Tussaud

Pas vdekjes së Philip Curtius në 1794-ën, Marie Tussaud u bë trashëgimtari i punimeve të tij prej dylli. Në 1795, Marie u martua me inxhinierin e ndërtimit, François Tussaud. Çifti pati 3 fëmijë, një vajzë që vdiq pas lindjes dhe 2 djem, Joseph dhe François. Marrëdhëniet midis bashkëshortëve u tensionuan dhe kur në 1802, iluzionisti gjerman Paul Philidor i sugjeroi Marie të shkonte në Londër dhe të bënte një shfaqje, ajo u largua nga shtëpia me një nga djemtë e saj. Në Londër, Marie Tussaud, një artiste e talentuar e dyllit në të dyzetat, vendosi të fillojë një biznes të sajin.

Madame Tussaud organizoi një turne ekspozite të punimeve të saj të dyllit në të gjithë Ishujt Britanikë. Në çdo qytet, punimet e saj u panë nga shumë vizitorë kuriozë dhe kështut mori famë dhe fitime. Në 1822, djali i dytë i Marie, François, iu bashkua nënës dhe vëllait të tij dhe u bë pjesë e biznesit familjar të dyllit.

Në 1835, Madame Tussaud i dha ekspozitës së saj një shtëpi të përhershme në Londër. Muzeu, Madame Tussauds, ende përmban disa nga punimet prej dylli të krijuara nga vetë Marie Tussaud. Me kalimin e kohës, ky koleksion magjepsës i figurave prej dylli u zgjerua dhe tani ka degë jo vetëm në Londër, por edhe në Amsterdam, Pekin, Berlin, Sidnej, Hong Kong, San Francisko, Shangai dhe shumë qytete të tjera.