Histori Personale

Historia si film thriller e Doug dhe Ashley Benefield: Kompania e Baletit, lidhja me Trump dhe si përfundoi me vdekje

Historia si film thriller e Doug dhe Ashley Benefield: Kompania e Baletit,
Ashley dhe Doug

Në një ditë të nxehtë vjeshte të vitit 2017, 12 valltarë arritën në qytetin e vogël të Charleston, në Karolinën e Jugut. Ata ishin anëtarë të (ANB) Baletit Kombëtar Amerikan të sapoformuar. Ata besonin se përfaqësonin jo vetëm përmbushjen e ëndrrave të tyre, por një revolucion në fushën e baletit.

Themeluesit e këtij grupi kërcimi ishin burrë e grua, biznesmeni Doug Benefield dhe Ashley, një ish-balerinë. Dukej se ata kishin mjaftueshëm para, por edhe një mision fisnik për të nxjerrë në pah talente kërcimi tërësisht të ndryshim në shumë aspekte, nga modelet që jemi mësuar të shikojmë. Kishin edhe lidhjet e duhura me Trump dhe republikanët.

E punësuara e tyre e parë ishte Sara Michelle Muraëski, një balerinë mahnitëse e cila e kishte humbur punën e saj të mëparshme për shkak të gjatësisë mbi mesataren.

Historia si film thriller e Doug dhe Ashley Benefield: Kompania e Baletit,

Në moshën 5-vjeçare, Ashley ishte përballur me pengesa të ngjashme në karrierën e saj.

Një tjetër e rekrutuar ishte 20-vjeçarja Hanna Manka, e cila kishte problemin e kundërt, ishte shumë e shkurtër. Ftesa nga çifti Benefields ishte një shpëtim për të. Siç kujton sot Manka: “Pasi punova aq shumë gjatë jetës dhe u përpoqa kaq gjatë, thosha me vete: Oh zot, e gjithë puna më në fund m`u shpërblye''.”

ANB u zotua të luftonte jo vetëm diskriminimin në gjatësi apo peshë, por edhe në ngjyrën e lëkurës.

Dhe në një botë ku edhe kompanitë më të mëdha luftojnë për financim, ANB dukej se nuk kishte mungesë të parave. Trupa e re me 47 balerinë kishte një buxhet vjetor prej 2.5 milionë dollarësh dhe valltarëve iu premtuan kontrata tetë mujore, sigurim shëndetësor dhe për ata që ishin rekrutuar nga Gjermania, Argjentina ose Estonia iu premtuan viza amerikane.

Valltarëve u ishte kërkuar të nënshkruanin një qira 1-vjeçare në një kompleks apartamentesh luksoze.

Ditën që mbërritën në qytet u pritën me një festë me pica e një set fotografik. Pyeteshin vazhdimisht se si ndiheshin: A ishin të lumtur, ama kur ata vetë pyesnin se kur i kishin performancat, nën cilin repertor do kërcenin, merrnin email të paqartë, përgjigje të turbullta.

“Gjëra të mëdha e presin grupin ANB”, ishte një nga përgjigjet. “Po ndryshojmë fytyrën e baletit ... Do t`ju dërgojmë shumë njoftime në javët e ardhshme”, ishte një përgjigje tjetër.

Ndërsa zhvendosnin çantat në apartamentet e tyre, vunë re se nuk kishte asnjë sallë, aty pranë, siç u ishte premtuar, për të bërë provat.

I vetmi vend që iu sigurua, ishte një studio e vogël, ku mezi i nxinte të gjithë dhe ishte 5 km larg vendit ku banonin.

Më misterioze nga gjithçka ishte Ashley, bashkëthemeluesja, drejtorja e kompanisë, nuk dukej askund.

“Në ditën e parë, Doug tha se ajo do të vinte në fund të javës, por ajo nuk erdhi kurrë”, tregon Kimberly Thompson, kontrata e së cilës me ANB ishte nënshkruar pasi ajo përfaqësonte një fizik me më shumë muskuj nga sa duhet, për të qenë balerinë.

Ndërsa valltarët studionin me mësuesit vendas dhe prisnin që orari i provave të shpeshtohej, ata dëgjuan versione gjithnjë e më madhështore të planeve të ANB. Nuk do të ishte vetëm një kompani baleti, por edhe një konservator, një linjë veshjesh vallëzimi, një kompani mediatike. Do të kishte edhe një program televiziv.

Disa nga valltarët ndërkombëtarë, të cilët ishin ende në shtëpitë e tyre, duke pritur për të marrë vizat, filluan të ndiheshin në stres. Luciano Perotto, një i sapodiplomuar i Shkollës prestigjioze të Filadelfias, kishte refuzuar një ofertë për punë me orar të plotë nga Atlanta Ballet për të kërcyer me ANB. Ai shikonte në kompjuterin e tij kolegët që ngarkonin fotografi nga Charleston dhe pyeste veten kur do mund të bashkohej me ta.

Më 1 tetor, dy javë pasi duhej të kishte filluar, ai i dërgoi email Benefields.

“Kuptoj që ka një mungesë komunikimi nga ana juaj. Nuk po e gjej arsyen pse procesi im i vizës ka ngrirë dhe pse nuk po më ndihmoni”, shkruante ai.

Kur dita e rrogave erdhi, nuk u paguan as me bankë dhe as me çeqe, por me tufa parash në zarfa. Pra para në të zezë, para në dorë.

Të Premten, 20 Tetor, vetëm një muaj pasi kishin mbërritur, balerinët u thirrën në studion e vogël dhe iu kërkuan të nënshkruanin një marrëveshje se diçka e madhe do vinte. Duke i besuar autoritetit, firmosën dhe tre ditë më vonë iu komunikua se ishin hequr nga puna.

Beth Bogush, gruaja që i mori firmat tha se 23 pushimet nga puna pasqyronin një ndryshim në vizionin e tyre, ndaj edhe ishin larguar.

Ashley vetë tha se nuk ishte vënë në dijeni për këto shkarkime dhe hera e parë që u bë e gjallë ishte përmes një statusi në Facebook ku shkruante: “Unë refuzoj publikisht mbështetjen time për Baletin Kombëtar Amerikan dhe udhëheqjen e tij. Kam qenë me leje dhe dëgjoj sot se njerëz të dorës së dytë kanë hequr njerëz nga puna. Ky është shkatërrim”.

Sara Murawski, ylli më i madh i ANB, dha dorëheqjen në shenjë proteste. Brenda dy muajve, shumica e 47 valltarëve ishin të papunë në mes të sezonit, shumë prej tyre kishin qiratë për të paguar, pasi kishin nënshkruar kontrata 1-vjueçare. Dhe ku? Në një qytet me shumë pak mundësi për të bërë balet.

Perotto ishte akoma në shtëpi kur hyri në Facebook dhe pa që kompania që priste t`i bashkohej, ishte shpërbërë.

“Unë kisha humbur të gjitha ofertat e mia të tjera të punës sepse i kisha thënë ‘Jo’. Nuk kisha asgjë tashmë dhe duhej të filloja nga e para”, tha ai.

Ndërkohë, Doug Benefield u zhduk ashtu si gruaja e tij.

“Unë nuk mora absolutisht asnjë telefonatë mbrapsht, as ndihmë, asgjë, dhe kisha ngecur këtu në Charleston. Nuk kam parë kurrë kaq shumë gënjeshtra dhe aq shumë njerëz lëndohen për diçka që supozohet të festojë diversitetin”, tha koreografi Alexandre Proia.

Farërat e Baletit Kombëtar Amerikan ishin mbjellë një vit më parë, në verën e vitit 2016, kur Doug Benefield dhe Ashley Byers u takuan në shtëpinë e Ben Carson në Palm Beach, pasi ai përfundoi fushatën e tij presidenciale. Ai ishte 54 -vjeç, i divorcuar dhe një herë i ve. Doug ishte i sigurt në vete, karizmatik dhe ende i pashëm. Ashley 24 vjeçe ishte bukuria klasike, me sy të kaltër të ndritshëm, flokë ngjyrë kafe me shkëlqim dhe karakterizohej nga elegance e një balerine.

Ata tregonin se që në momentin që kishin folur për herë të parë nuk kishin ndalur kurrë. Ashley kishte qenë anëtare e grupit të fushatës së Donald Trump, duke udhëtuar në mitingje dhe duke punuar në zyrën e fushatës në Florida, ndërsa Doug ishte afër me disa nga donatorët e mëdhenj të Carson. Të dy ishin të dedikuar pas Zotit dhe Amendamentit të Dytë.

Pasi u ndanë natën e parë bashkë, Doug i dërgoi Ashley një mesazh të mbushur me emoji që qeshnin dhe pikëçuditëse. “Më pëlqeu koha me ty Ashley Oakley !!!'”,shkruante ai.

Kjo ndodhi më 25 gusht, kurse në datën 26, Ashley i drejtohej Doug si 'i dashuri im' dhe falënderonte Perëndinë që e kishte sjellë atë në jetën e saj.

Më 27 gusht, Doug fluturoi në Izrael për një udhëtim pune njëjavor dhe vazhduan të shkëmbenin mesazhe si dy adoleshentëve të dashuruar.

Më 1 shtator, gjashtë ditë pasi u takuan, vendosën të martoheshin.

Doug, sipas një shoku të tij, nuk bëri seks me Ashley deri para natës së dasmës. Planet e tyre nuk ia treguan askujt, madje as vajzës adoleshente të Doug. Pa e përfillur diferencën mes tyre dhe faktin që ishin takuar vetëm 13 ditë më parë, ata u martuan në Kishën Episkopale të Shën Michael në Charleston më 6 shtator, pa asnjë të ftuar përveç dëshmitarit dhe mikut të Doug.

Ashley jepte kurse kërcimi për fëmijë dhe qepte kostume për studentët e baletit. Ajo punonte edhe si modele të brendshmesh dhe fotot e saj shfaqeshin duke pozuar nëpër qytet, por pa karrierë.

Mbi të gjitha, ajo dëshironte një familje. Për të, një martesë ishte më shumë se një set fotosh.

“Unë e di atë që dua, më shumë se gjithçka. Unë dua të dua dhe të më duan. Dua të jem grua dhe nënë. Zot, më sill një njeri të veçantë të zgjedhur për mua”, shkroi Ashley në ditarin e saj në vitin 2014.

Në fund të vitit 2015, ajo u takua me Donald Trump në një takim fushate dhe i kishte treguar se karriera e saj kishte marrë një kthesë të papritur. Ajo e kishte admiruar Trumpin për vite me radhë dhe ai ishte impresionuar nga patriotizmi i saj, aq sa i kishte ofruar menjëherë një vend pune.

Historia si film thriller e Doug dhe Ashley Benefield: Kompania e Baletit,
Ashley dhe Trump

Shpejt ajo filloi të punonte me të, të ishte e pranishme të mitingje dhe të udhëtonte me avionin e Trump.

Ashley shkruante në një ditar të pastër, me dorën e saj se sa e kënaqur ishte kur Trump e kishte pyetur se ç`mendonte për ngjyrën e kollares së tij. Ajo tregonte sesi disa ditë më vonë ai e kishte telefonuar për t`i thënë se sa mirë dukej atë ditë në avion.

“Ai më tha se dukesha mirë në aeroplanin e tij. Më quajti bombë. Më quajti ‘vajza e tij e vogël’ dhe ‘fëmija i tij’. “Ai më tha se donte të më jepte një puthje të madhe dhe më premtoi një punë në Shtëpinë e Bardhë”, shkruante Ashley për Trump. “Big fat kiss”, është shprehja e famshme që Trump përdorte edhe gjatë fushatën për mbështetësit e tij.

Doug kishte dhënë kontribute të vogla, ndër vite në Komitetin Kombëtar Republikan.

Doug rezultonte në regjistrat e atyre që kishin përfituar fonde vazhdimisht. Ai hapte dhe mbyllte shpesh biznese. Fliste me financuesit, duke pretenduar se kishte fonde, por në fakt shpeshherë nuk i kishte.

Doug dhe Ashley ishin ende duke u njohur me njëri -tjetrin kur krijuan idenë për ANB. Ishte duke e përcjellë për në shtëpi kur i tha që donte që ajo t`i rikthehej baletit. Pasi ajo refuzoi, Doug mendoi se si mund të bënin diçka tjetër, të përmirësonin botën e kërcimit dhe kështu krijuan ANB.

Por edhe pse çifti bëri plane për të filluar një kompani së bashku, jeta personale nuk po shkonte mirë. Ashley u transferua në shtëpinë e Doug në Mount Pleasant, por e pati të vështirë t`i hynte në zemër Eva-s, vajzës së tij, e cila ishte 15 vjeç dhe ende vajtonte për humbjen e nënës së saj.

Ajo u përpoq t`i hynte në zemër. I tregonte video baleti, e merrte për të blerë lulet e shtëpisë, por në një moment telefonoi mikun e saj dhe i tha se Doug do të zgjidhte Eva-n para saj.

“Unë thjesht dua që ai të më zgjedhë mua”, i kishte thënë mikut të saj.

Kurse një shoku i Doug tregoi sesi bëri shaka kur e takoi për herë të parë që i tha: Duhet të kujdesesh mirë për Ashley-n. Kurse ajo iu përgjgj: Unë mund të kujdesem për veten dhe nxori një armë nga brezi.

“Unë nuk u ndjeva i kërcënuar, por është gjithsesi gjë shumë e vështirë për t`u bërë kur takon dikë për herë të parë”, tha shoku i Doug.

Në qershor, Ashley gjeti ditarin e Evës dhe lexoi se ajo e urrente. Kërkoi nga Doug një fëmijë. Kërkoi që ai të anulonte vazektominë e tij. Ai nuk pranoi. U grindën. Bërtitën.

Në gusht, vetëm disa javë para se valltarët të vinin, Ashley mësoi se ishte shtatzënë. Ajo kishte dëshirë të madhe për një fëmijë, por simptomat fizike ishin më të këqija nga sa priste. Nauzeja ishte aq intensive saqë ajo nuk qëndronte dot as në këmbë.

Ata vendosën që Ashley të pushonte në shtëpinë e nënës së saj në Florida, ndërsa Doug qëndroi në Charleston për t'u përqëndruar tek grupi i baletit që kishin ngritur.

Më 18 shtator-data e shumëpritur e nisjes së Baletit Kombëtar Amerikan-Doug shkoi në studio për të mbikëqyrur mbërritjen e valltarëve. Po atë ditë, Ashley u nis me makinë 500 kilometra për në Karolinën e Jugut. Ajo nuk i tha Doug se do të vinte. Shkoi në shtëpi, mblodhi rrobat e saj dhe i la atij një shënim me 21 ankesa.

Ndërsa Ashley iku në Florida, Doug ishte në Charleston, duke u përpjekur të mbante në këmbë ANB. Buxheti i premtuar prej 2.5 milionë dollarësh nuk kishte ekzistuar kurrë, por Doug ende shpresonte se ai mund t`i mblidhte paratë para se dikush ta kapte. Ai huazoi dhjetëra mijëra dollarë për të financuar listën e parë të pagave. Më 23 tetor - ditën kur gjysma e valltarëve u pushuan nga puna dhe Ashley hoqi dorë nga e gjithë ndërmarrja në Facebook - Doug iu lut që të mos e bënte.

Në Florida, ndërkohë, Ashley ndjeu që shëndeti i saj nuk po përmirësohej. Kishte dhimbje të tmerrshme në bark, dhimbje të tmerrshme në gjoks. Mori ilaçe të forta, por pa sukses. Ende duke kërkuar për një diagnozë në Nëntor, ajo vendosi të dërgojë një tufë flokësh në një kompani laboratori. Laboratori tha se kishte zbuluar nivele të rrezikshme të aluminit, kobaltit, zinkut, kallajit dhe bariumit në trupin e saj. Shpjegimi i tyre ishte tronditës: Ashley ishte ekspozuar qëllimisht dhe sistematikisht ndaj këtyre toksinave nga një individ i cili konsiderohej helmuesi, sipas laboratorit. Ashley mendoi për çajin e nxehtë dhe të ëmbël që Doug i bënte çdo mëngjes. Ajo e kishte një ide se kush mund të ishte ‘helmuesi'.

Ashley mendoi gjithashtu për nënën e Evës, Renee, e cila ishte 56 vjeç kur u gjet e pajetë në shtrat. Në fotografi, ajo duket e lumtur dhe shëndetshme. Kur policia në Mount Pleasant hetoi vdekjen e Renee dhe kontrolloi celularin e saj, ata mësuan se ajo dhe Doug ishin zënë.

Një vit para vdekjes së saj, Renee kishte qenë e sëmurë. Doug u kishte thënë detektivëve se asaj i kishte rënë të fikët dy herë vitin e kaluar. Mjekët arritën në përfundimin se ajo kishte vdekur nga zemra.

Një toksikolog i kishte thënë Ashley-t se ajo kishte thithur helm shtesë sepse 'një grua shtatzënë thithë shtatë herë më shumë ajër se një grua jo shtatzënë, si dhe merr shtatë herë më shumë ushqim/lëndë ushqyese'. Kompania Carlson, që kishte bërë analizat kishte një profil të lartë. Në vitin 2013, pasi aktorja 32-vjeçare Brittany Murphy vdiq në shtëpi, babai i saj i pikëlluar nuk e pranonte shkakun e vdekjes nga pneumonia dhe i dërgoi një tufë flokësh në kompaninë Carlson; Ai mori një raport ku thuhej se ajo (si Ashley) kishte qenë viktimë e helmimit të qëllimshëm nga metale të rënda.

Ashley e lindi vajzën dhe Doug e çoi në gjyq për kujdestarinë e vajzës së tyre 4 muajsh të cilën nuk e kishte takuar kurrë, ndërsa Ashley, duke pretenduar dhunën në familje dhe helmimin, donte një urdhër mbrojtjeje.

Gjyqtarja mohoi kërkesën e Ashley dhe urdhëroi prindërit të ndanin kujdestarinë.

E megjithatë, pas gjithë kësaj, kolapsi i kompanisë së vallëzimit, betejat e vazhdueshme dhe të mbrapshta në gjykatë, Ashley dhe Doug filluan të kalojnë përsëri kohë së bashku. Në Nëntor 2018, ata kërkuan ndihmën e një këshilluesi martese.

Nuk pati sukses. Gjyqi do vazhdonte. Psikologu do jepte vlerësimet për secilin prej prindërve të vajzës katër muajshe.

Një ditë para gjyqit, në mëngjes Eva vajza e tij u zgjua, kontrolloi telefonin dhe nuk pa asnjë varg biblik, që babai i dërgonte çdo mëngjes. Ashley e kishte vrarë.

Ajo kishte improvizuar edhe një skenë sikur ai kishte tentuar ta vriste. Sot është e arrestuar dhe pret të marrë dënimin. Eva bën video në Tik Tok ku flet për njerkat e këqija.

Historia si film thriller e Doug dhe Ashley Benefield: Kompania e Baletit,
Ashley pas vrasjes

Sa për valltarët, ata ende po luftojnë me pasojat - financiare, profesionale dhe emocionale.

Hanna Manka i kalon netët e saj duke punuar si kameriere në një klub golfi. Sara Murawski mezi gjeti një punë zyre të cilën e humbi për shkak të COVID. Sot, ajo po jep mësim me kohë të pjesshme në shkollën ku u trajnua dhe po përpiqet të kuptojë përvojën e saj në Karolinën e Jugut.