Histori Personale

Infermierja shqiptare në ditët e fundit të shtatzënisë në krye të detyrës: Frika ime nuk është infektimi

Infermierja shqiptare në ditët e fundit të shtatzënisë

Është në javën e fundit të shtatzënisë dhe Armida Bahja Hoxha, një infermiere shqiptare që jeton në Teksas të SHBA-ve, ka vendosur që të jetë në frontin e luftës kundër koronavirusit.

Në një intrevistë të dhënë dhe të shpërnadrë nga gazetarja dhe shkrimtarja Kozeta Zylo, Armida thotë se djali që pret të sjellë në jetë i jep forcë dhe e bën të vazhdojë të qëndrojë në krye të detyrës për t’u shërbyer me përkushtim pacientëve me koronavirus. Për të frikë nuk është infektimi, por që mund të lindë nga momenti në moment. 

Infermierja shqiptare në ditët e fundit të shtatzënisë

Jeni e frikësuar për bebin tuaj dhe a keni status të veçantë si grua shtatzënë?

Po, mund të thuash se jemi dy persona të cilët u shërbejmë pacientëve, unë dhe foshnja ime e palindur. Ai mua më jep forcën për të vazhduar më tej. Për mua frika më e madhe është se mund të lind nga momenti në moment, por për sa i përket frikësimit nga infeksionet, besoj se flas për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor, kur them se kur hasim këto lloj vështirësish, frika zë pozicionin e dytë ose “back seat” siç themi në Amerikë. Frika tejkalohet, natyrisht, me përdorimin e kujdesshëm të pajisjeve mbrojtëse, megjithëse ato janë të vogla në numër dhe përkohësisht me kursim.  Sa i përket statusit të veçantë në këtë situatë, është pak vështirë, por mund të them se kam pasur ca lehtësime dhe ndihmë, sidomos kur u futa në javën e 38 të shtatzënisë. Madje këto javët e fundit kam bërë më shumë turne nate, ku lëvizja e njerëzve është më e paktë gjithashtu dhe nevojat e pacientëve janë më të ulëta. Por, momentalisht, ne jemi “all hands on deck”, siç thonë në Amerikë. Ne punojmë si ekip dhe kolegët e mi më ndihmojnë shumë sidomos në lëvizjen e pacientëve. Për fat të mirë, numri i pacientëve të prekur nga Covid-19, të cilët kanë nevojë për “Kujdesin Akut” në spitalin tonë është ende i ulët, i menaxhueshëm dhe nën kontroll.

Si u ndjetë kur ju dhanë detyrën se do të jeni në vijën e parë të Frontit të Luftës?

Në fakt, detyrën nuk ma dhanë, unë e kërkova atë që në momentin kur hyra në këtë fushë. Unë besoj se kushdo që e bën këtë detyrë ka një pasion të veçantë për t’u kujdesur dhe lehtësuar dhimbjen e atyre që kanë nevojë. Kjo është ajo që më shtyn të vazhdoj të luftoj për këta njerëz derisa të mundem edhe kur kam parasysh që kolegët e mi kanë nevojë për mua. Diçka e veçantë krijohet kur jemi në situata të tilla “në frontin e betejës”, siç përmendet ju, një “band of brothers” ose shokë luftëtarë. Prandaj duke iu përgjigjur pyetjes suaj, ndihem krenare të bëj pjesën time për njerëzimin në këto momente të vështira.