Histori Personale

Isha 8 vjeç! Ende nuk jam e bindur nëse isha komplet e pafajshme, por ai fitoi mbi mua...

Një rrëfim i dhimbshëm në postën elektronike të editores Mira Kazhani. Një vajzë a grua sot, emri është anonim, zbulon sekretin që e mundon që kur ishte 8 vjeç. Edhe sot e ka të vështirë të flasë me emër dhe figurë, por ka gjetur forcën të japë një mesazh nëpërmjet dhimbjes që i ulëret në zemër, por që mbulohet nga heshtja: Isha vetem 8 vjeç. Ndoshta isha budallaqe. Pse heshta? Pse i bindesha? Ai fitoi mbi mua dhe s’di në është baba i një vajze...

Isha 8 vjeç! Ende nuk jam e bindur nëse isha komplet e pafajshme,

Isha vetëm 8 vjeç. Derisa u bëra 10 nuk kuptoja saktësisht çfarë po ndodhte, çfarë ishte, çfarë bënte. Dyshoja se diçka nuk shkonte, por pastaj më dukej normale, asgjë e jashtëzakonshme. Përderisa përreth meje çdo gjë ishte normale, asgjë nuk ndryshonte, asnjë nuk dyshonte, asgjë nuk pipëtinte, bindesha se çdo gjë ishte në rregull. Nuk po më ndodhte asgjë që nuk duhej, ai thjesht më zgjaste dorën e unë ia jepja dhe e ndiqja. Nuk di në isha budallaqe, në isha thjesht fëmijë, në isha e ndrydhur, e manipuluar, nuk kam përgjigje as sot pse e ndiqja në dhomën e tij dhe i nënshtrohesha 'lojërave' të tij. E mbaj mend që qeshte e kënaqej, fundja ç'e keqe mund të vijë nga e qeshura, gëzimi i dikujt? A nuk luftojnë të gjithë për këtë? Për të qeshura, për gëzim, lumturi? Ai qeshte e kënaqej, unë isha thjesht e hutuar. Nuk fliste, nuk më thoshte asgjë, as nuk më kërcënoi ndonjëherë, vetëm psherëtima kënaqësie. Ndoshta nëpër të, ndonjëherë, mund të më ketë psherëtirë ndonjë fjalë në vesh: "Mos trego!", por nuk e mbaj mend, nuk dua t’i bie më qafë kot. E çuditshme, apo jo? Ende sot kam frikë se mos jam e padrejtë me të. Askush nuk dinte asgjë, as unë vetë, përveç atij. Ai ishte koshient, dinte ç'bënte, dinte kur, ndoshta dinte edhe pse. Pas shumë kohësh edhe unë kuptova. Kuptova çfarë po më bënte, kur, deri diku kuptoja edhe si, por kurrë nuk kuptova, PSE? Ndoshta sepse 'PSE'-ja e abuzimit seksual qëndron vetëm në mendjen e trupin e sëmurë, kriminal, pervers të atij që e bën. Ai nuk u pendua kurrë. As unë s'u ndjeva kurrë. Shumë vite kaluan dhe nuk gjeta kurrë dikë që ta fajësoja edhe pse doja ta bëja, përveç vetes. Isha vërtet aq e vogël sa të mos e kuptoja? Apo isha budallaqe? Pse heshta? Pse i bindesha? Nuk kam përgjigje as sot. Ai fitoi mbi mua, ende është fitimtar, sepse askush nuk ia di emrin, askush nuk e di, të paktën, cili ka qenë, çfarë ka bërë, duke shpresuar se 'lojërat' si me kukulla me vajza të vogla t’i ketë lënë kur është bërë vetë baba vajze. E çuditshme, apo jo? Vazhdoj ende sot i jap mundësinë të heq dorë, të bëhet njeri i mirë...

Duart e gjunjët më dridhen vetëm teksa shkruaj këtë. Për t’i dhënë tinguj zëri nuk bëhet fjalë. Ende nuk jam e sigurt nëse isha komplet e pafajshme apo kisha faj. Isha vërtet ende aq e vogël sa të mos kuptoja? Apo isha budallaqe? Pse heshta? Pse i bindesha? Nuk kërkoj më përgjigje, sepse nuk ka. 'PSE'-ja qëndron vetëm në mendjen dhe trupin e sëmurë, kriminal dhe pervers të abuzuesit. Abuzimi të bën shumë gjëra, por më e tmerrshmja që të bën është që të heq zërin, të bën të heshtësh për çfarë ka ndodhur, përgjithmonë. Të heshtësh ndërkohë që zemra ulëret! Ne nuk dalim as në shesh të protestojmë, sepse na duket sikur do na njohin dhe të gjithë do na akuzojnë pse heshtëm, pse u bindëm, a ishim vërtet aq të vogla sa të mos kuptonim, apo ishim budallaqe? Vajzat e abuzuara nuk kanë dot zë, janë mbytur, prandaj, bërtit fort ti që ke ende zë dhe e sheh, e di që po ndodh.

*Tiranapost.al do të mbështesë çdo denoncim, do të ruajë privatësinë e çdo rrëfimi vajzash e grash që janë viktima të abuzimit seksual