Histori Personale

Jo të gjithë janë të lumtur që po rikthehen përqafimet!

Jo të gjithë janë të lumtur që po rikthehen

Mbaj mend disa përqafime të miat parapandemike. Një ‘mirupafshim’ xhaxhait tim pas një udhëtimi nga ata që bëhen njëherë në jetë, në Disneyland, në gusht të vitit 1994. Një përqafim me profesorin me të cilin u dashurova e dy muaj më vonë më theu zemrën. I fundit që pata ishte me një të afërm të ngushtë, në janar 2011, para se të nisesha në një fluturim për të jetuar jashtë vendit.

Ato janë ngulitur në trurin tim, jo sepse më ka marrë malli për përqafime, por sepse i kujtoj me një dridhje të pavullnetshme. Përqafimi i njerëzve zakonisht bën që të brendshmet e mia të dridhen sikur po përpiqen të largohen nga kontakti që ndodh në lëkurë.

Trrupi im i ngurtë ka dashur që secili nga këto përqafime të mbaronte shpejt. Po, e di që është e çuditshme. Jo, nuk kam nevojë për terapi. Unë kam qenë gjithmonë kështu, që fëmijë.

Pandemia e COVID-19 dhe masat më kanë shpëtuar nga përqafimet e padëshiruara për më shumë se një vit dhe jam nervoze për atë që vjen më pas, kur kufizimet të lehtësohen në javët dhe muajt e ardhshëm.

Nuk janë vetëm përqafimet aktuale që po kthehen në jetën time. Është gjithashtu ankthi para aktiviteteve shoqërore, ku hapësira personale diktohet nga sa ju lejojnë dhe jo nga sa do të donit të kishit.

I kam shmangur sa kam mundur përqafimet edhe më parë. Sigurohesha që në darka e takime të shkoja vonë vetëm që të mos takoja asnjë. I gjeja ulur të gjithë në tavolinë dhe ua bëja me dorë: Mos lëvizni, mos lëvizni.

Miqtë e mi të ngushtë janë mësuar me mua. Shumica gjithashtu më kanë sulmuar herë pas here duke më thënë: E di që s`i do përqafimet, por do të ta jap një.

Refuzimi i njerëzve më të largët, është pak i vështirë, se nuk të kuptojnë.

Nëse miliona njerëz janë ankuar për mungesën e përqafimeve dhe kontakteve fizike që nga marsi i vitit të kaluar, për mua dhe njerëz si unë, distancimi shoqëror solli lirinë nga prekja e padëshiruar.

Unë jetoj në Spanjë, ku një puthje në dy faqe është - ose ishte - e zakonshme.

I respektoj ata që puthen dhe përqafohen. Dhe po ashtu kërkoj respekt nga të tjerët ndaj meje. E vetmja gjë që do të doja nga njerëzit është të pyesin para çdo takimi të parë: A je pro përqafimit?

Është njësoj sikur i pyesim: Çaj apo kafe? Shqeto apo me sheqer?

*Artikulli i Huffington Post u përshtat në shqip nga Tiranapost.al