Histori Personale

Letra prekëse e kryeministrit spanjoll, por dhe e vërtetë!

Letra prekëse e kryeministrit spanjoll, por dhe e vërtetë!

Nga Pedro Sánchez/ Europa po vuan krizën më të madhe që prej Luftës së Dytë Botërore. Qytetarët tanë po vdesin ose po luftojnë për jetët e tyre në spitale të tejmbushura, për shkak të një pandemie që përfaqëson kërcënimin më të madh ndaj shëndetit publik që nga gripi i vitit 1918. Europa po përballet me një luftë ndryshe nga ato që kemi arritur të evitojmë në 70 vitet e fundit. Një luftë kundër armikut të padukshëm që po vë në provë të vështirë të ardhmen e projektit europian.

Rrethanat janë të jashtëzakonshme dhe kërkojnë qëndrime vendimtare: o jemi në lartësinë e rrethanave, o do të dështojmë si Bashkim. Është një çast kritik në të cilin edhe vende apo qeveri shumë europeiste, siç është rasti i Spanjës, duhet të tregojnë impenjim të vërtetë. Kemi nevojë për solidaritet. Sepse solidariteti mes europianëve është parim themelor i traktateve të Bashkimit. Dhe duhet treguar në rrethana si kjo. Pa solidaritet nuk do të ketë kohezion, pa kohezion do të ketë mosmiratim dhe për këtë arsye besueshmëria e projektit Europian do të dëmtohet seriozisht.

Javët e fundit janë marrë vendime të rëndësishme, të cilat ne i mirëpresim, siç është afati i ri kohor i blerjes së eurobondeve nga Banka Qendrore Europiane dhe këtë javë plani “Sure” nga Komisioni Europian për ata që janë goditur nga papunësia. Por nuk janë të mjaftueshme. Duhet shkuar përtej. Europa duhet të ngrejë një ekonomi lufte dhe të promovojë rezistencën, rindërtimin dhe rimëkëmbjen. Dhe këtë duhet ta bëjë sa më shpejt të jetë e mundur me masa që synojnë mbështetjen e borxhit publik që po marrin shumë shtete. Dhe do të duhet ta bëjë atë më vonë, pasi të jetë tejkaluar urgjenca shëndetësore, në mënyrë që të rindërtohen ekonomitë e kontinentit, duke mobilizuar sasi të mëdha burimesh përmes një plani që ne e kemi quajtur "Plani i ri Marshall" dhe i cili do të duhet të ketë në mbështetjen e të gjitha institucioneve të komunitetit tonë.

Europa lindi nga hiri i shkatërrimit dhe konfliktit. Mësoi nga leksionet e historisë dhe kuptoi diçka shumë të thjeshtë: nëse nuk fitojmë të gjithë, në fund të gjithë do të humbasim.

Ne mund ta kthejmë këtë krizë në një mundësi për të rindërtuar një Bashkim Europian shumë më të fortë. Por për këtë, kemi nevojë për të ndërmarrë masa ambicioze. Nëse vazhdojmë të mendojmë në mënyrë miope, do të dështojmë. Shtetet e Bashkuara iu përgjigjën recensionit të vitit 2008 me stimuj, ndërsa Europa iu përgjigj me masa shtrënguese. Rezultatet janë të njohura për të gjithë. Sot, në një kohë kur ka një krizë akoma më të thellë globale ekonomike, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë mobilizimin më të madh të burimeve publike në histori. A është Europa e gatshme të mbetet prapa?

Është kjo koha për të thyer dogmat e vjetra kombëtare. Jemi në një situatë të re që kërkon përgjigje të reja. Të ruajmë vlerat tona pozitive dhe të rikrijojmë pjesën tjetër. Në muajt e ardhshëm, do të jetë e pashmangshme që shtetet anëtare të gjenerojnë më shumë borxhe për t'iu përgjigjur pasojave të një krize kujdesi shëndetësor, por edhe ekonomike dhe sociale. Dhe kjo është arsyeja pse përgjigjet nuk mund të jenë të njëjta me ato të parashikuara për përplasje ekonomike asimetrike, siç është një krizë financiare ose bankare e një shteti të vetëm ose një grup shtetesh. Nëse virusi nuk respekton kufijtë, as mekanizmat e financimit nuk mund ta bëjnë këtë.

Pakti i Stabilitetit të BE-së mund të jetë sërish i nevojshëm në një fazë fillestare për të injektuar likuiditet në ekonomitë europiane përmes një linje kredish, por edhe nëse është universale dhe pa kushtëzime, nuk do të jetë e mjaftueshme në afatmesëm.

Sfida me të cilën përballemi është e pashembullt. Kërkon një reagim të bashkuar, unik, ekstrem dhe ambicioz në mënyrë që të ruajmë sistemin tonë ekonomik dhe shoqëror. Për të mbrojtur qytetarët tanë.

Ne spanjollët gjithmonë e kemi mbrojtur projektin Europian. Është momenti i reciprocitetit. Drejt nesh, drejt Italisë dhe secilit prej 27 vendeve të Unionit. Është koha për të vepruar me solidaritet: duke krijuar një mekanizëm të ri për ndarjen e borxheve, për blerjen e produkteve themelore shëndetësore, vendosjen e strategjive të koordinuara për sigurinë në internet dhe përgatitjen e një plani të madh ndërhyrjesh në mënyrë që rimëkëmbja e kontinentit të jetë e shpejtë dhe e fortë. Kështu që të mos ketë boshllëqe midis Veriut dhe Jugut. Për të mos lënë asnjë prapa.

Jetojmë kohë shumë të vështira që kërkojnë vendime kurajoze. Ka miliona europianë që besojnë në projektin e Bashkimit Europian. Mos t’i braktisim. T’u japim arsyet për të vazhduar të besojnë. Tani ose kurrë më, sepse në këtë momente, Europa është në rrezik.

*Letër e hapur e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez. Përshtatur në shqip nga Erjon Uka.