Histori Personale

Marilyn Monroe, 24 orët e fundit të një gruaje të palumtur

Marilyn Monroe, 24 orët e fundit të një gruaje të palumtur

Më shumë se 50 vjet pas vdekjes se divës Marilyn Monroe ende ka dyshime: vrasje apo vetëvrasje. Ndaj është bërë një rindërtim i 24 orëve të saj të fundit.

Një natë para natës finale ajo s`kishte fjetur mirë. Mbase kishte parë në pasqyrë imazhin e vetes, të zbehur e të lodhur. Ishte 5 gusht i 1962-shit kur trupi u gjet i pajetë në dhomën e gjumit.

Versioni zyrtar

Më 4 gusht, një ditë më parë ishte zhveshur dhe shtrirë në shtrat. Kështu ishte kur u gjet me një telefon në dorë dhe një shishe me pilula pranë vetes. Ajo kurrë nuk i linte takimet e punës apo ato personalet në shtëpi. Kalonte njëherë nga parukierja për t`u rregulluar, pastaj shkonte në takime. Ishte 36 vjeç, një moshë kritike për yjet e Hollivudit. Për më tepër sapo ishte pushuar nga puna për serialin “Something`s Got To Give”, për shkak të vonesave të vazhdueshme.

Verdikti zyrtar ishte “vetëvrasje e mundshme”. Kohët e fundit ajo po e tepronte me përdorimin e antidepresantëve. Vuante nga disa sëmundje psikosomatike prej ankthit shumëvjeçar. Ajo ishte vazhdimisht e trembur se mos përfundonte si nëna e saj, që e kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës në një klinikë psikiatrie. Ndarja gjithashtu nga Arthur Miller e kishte shkatërruar.

Marilyn Monroe, 24 orët e fundit të një gruaje të palumtur

Dy muaj para vdekjes

Kishte kënduar “Shumë urime për ty” për J. F. Kennedy. Ç`ndodhi dy muaj më vonë që e çoi kaq në depresion sa për të vrarë veten?

Ajo sapo ishte transferuar nga New York në Los Angeles. Kishte blerë shtëpinë e saj të re, po e mobilonte. Sapo kishte qenë në kopertinën e revistës së famshme Life e Paris Match. Ishte afruar sërish me ish-bashkëshortin Joe DiMaggio, të cilin e telefonoi edhe një ditë para se të vdiste. Ajo po mendonte gjithashtu të themelonte një shtëpi produksioni së bashku me Marlon Brando.

Doktori, psikiatri dhe pastruesja

Ka shumë arsye për të dyshuar në versionin zyrtar të vdekjes së saj bazuar në lëvizjet e 24 orëve të fundit. Mjeku i Monroe telefonoi policinë rreth orës 4:25 të mëngjesit të 5 gushtit, por sipas ekspertizës ajo kishte vdekur të paktën 8 orë më parë. Mjeku ligjor deklaroi se ajo kishte vdekur nga marrja e 47 pilulave të gjumit, por në fakt në stomakun e saj nuk u gjet asnjë gjurmë ilaçes. Rreshteri i policisë tha se trupi i saj dukej si i vendosur mbi shtrat. Pra, dukej sikur kishte vdekur diku tjetër dhe ishte vendosur më pas aty. Pastaj ai tha se e gjeti pastruesen e Monroe-s duke larë çarçafët, gjë që iu duk e çuditshme.

Pastruesja quhej Eunica Murray dhe konsiderohet ende një figurë kyçe në vdekjen e Monroe-s. Ajo dëshmoi se një ditë para vdekjes, Monroe ishte pa humor se ishte zënë me Pat Newcomb, përgjegjësen e saj për shtyp. Tha se ato kishin dalë nga shtëpia së bashku me makinë, por askush s`i kishte parë askund. Ishte pastruesja ajo që mori në telefon psikiatrin Ralph Greenson dhe mjekun Engelberg pasi s`po hynte dot në dhomën e kyçur të aktores.

Ishte 3:30 e natës kur ata mbërritën në shtëpi dhe Greenson tha se theu xhamin e dritares për të hyrë në dhomë. Mirëpo xhami nuk ishte i thyer.

Rrëfimi i zonjës së shtëpisë: presidenti e vizitoi atë

Murray, Greenson dhe Endelberg e ndryshuan disa herë versionin e tyre.

Sipas një teorie, mbidoza e Marilyn ishte aksidentale dhe u shkaktua nga mosrakordimi i mjekëve, të cilët u përpoqën më pas të mbulonin gjithçka me ndihmën e pastrueses së shtëpisë.

Por ekziston edhe në burrë tjetër që mund të ketë gisht në vdekjen e saj. Ai është Robert, ose Bob Kennedy, vëllai i presidentit që e vizitoi mbrëmjen e 4 gushtit, siç pastruesja vite më vonë tregoi.

Edhe parukierja e Monroe tregoi se Marilyn e kishte telefonuar dy herë. I kishte thënë se Bob Kennedy kishte qenë në shtëpinë e saj dhe e kishte kërcënuar. Të dy kishin pasur një histori dhe ai kishte frikë se mos zbulohej. Telefonatën e fundit Marilyn e bëri me Shtëpinë e Bardhë, por s`dihet me kë foli.

Misteri

Ç`ndodhi vallë? A u vetëvra ajo apo ishin mjekët që në përpjekje për ta qetësuar i injektuan më shumë dozë dhe e mbuluan vrasjen nga pakujdesia?

A ishte Bob Kennedy ai që e vrau për të mos u zbuluar lidhja mes tyre?

Sipas biografes Sandra Shevey që ka dëgjuar miq dhe dëshmitarë të shumtë mbron idenë se Bob Kennedy ishte disi përgjegjës. Edhe pse ai e mohoi publikisht deri në fund se kishte qenë me të atë mbrëmje, policëve ia kishte pranuar. Sipas versionit të saj Bob e ka mbajtur ndërkohë që Marilyn ka përjetuar një krizë dhe mjeku i ka injektuar qetësues mbidozë.

Të vërtetën duket se e mori me vete.

*Artikulli i Roba da Donne u përshtat në shqip nga Fabjola Hije