Një 12-vjeçare humb jetën nga Covidi, prindërit: Shpresojmë që vdekja e saj të jetë këmbanë alarmi

Pasi qëndroi në spital për 10 ditë, Elizabeth McNew 12 vjeçe nga Florida nuk ia doli. Ajo e humbi jetën si pasojë e Covid.
Të hidhëruar për humbjen e të bijës, familjarët shpresojnë që së paku vdekja e saj të shërbejë si një këmbanë alarmi për të tjerët. As fëmijët dhe askush nuk është i mbrojtur nga Covidi.
“Nëse arrin të mbash brenda maskës qoftë edhe një grimcë spërkle për të mos infektuar dikë tjetër, atëherë je hero. Gjithçka varet nga ajo maska e vogël, e bezdisshme”, tha Elda, nëna e Elizabeth.
“Do të doja që njerëzit të mendojnë sipas rregullit të artë: Bëji të tjerëve atë që dëshiron që të të bëjnë ty. Kemi shumë nevojë për përkujdesin dhe dashurinë e të tjerëve”, shton ajo.
Elda tregon gjithashtu se fëmijët po e ndiqnin shkollën nga shtëpia, si mënyra më e sigurt, kurse bashkëshorti që punonte, i dezinfektonte duart sapo hynte në shtëpi. I hiqte menjëherë rrobat dhe lahej.
Në fillim të shtatorit ai po ndihej keq dhe bëri një vizitë pasi dyshonte se ishte ftohur. Mjeku e dërgoi me urgjencë për të kryer tamponin ndaj Covid-19. Në të njëjtën kohë edhe Elizabeth s`po ndihej mirë, por prindërit menduan se ishte për shkak të stinës së alergjive.
Kur Brad mësoi se po, ishte i prekur nga koronavirusi, gjendja e Elizabeth u përkeqësua.
Ai nuk kishte simptoma të rënda, por vajza po, ajo mezi merrte frymë.
E dërguan në spital dhe nuk u larguan prej atje për 10 ditë. Infeksioni i saj ishte i ndërlikuar dhe intensiv. Mamaja e Elizabeth tregon sesi mjekët bënë gjithçka, por virusi e kishte shkaktuar dëmin.
*Burimi Today