Histori Personale

Një letër për njerkun tim, që më mbeti diçka pa i thënë

Një letër për njerkun tim, që më mbeti diçka pa

Isha 7 vjeçe kur ti u shfaqe në jetën time. Në fillim nuk të pëlqeva. M`u duk sikur do më merrje mamin, sikur do më largoje prej saj. Mendova se duke të të qëndruar unë ftohtë, ti do mërziteshe dhe do largoheshe nga mami, por jo. Për fat, nuk e bëre. Bëre shumë përpjekje për të më hyrë në zemër. Na çove me pushime, më mësove disa lojëra të veçanta.

Babain tim biologjik e shikoja shumë rrallë, kurse me ardhjen tënde njoha prezencën e vërtetë të një burri. Më kanë rritur mami, gjyshja dhe motra më e madhe. Kam qenë e rrethuar nga gra të forta dhe të pavarura. Babain e shikoja një ose dy herë në muaj, edhe pse jetonim në të njëjtin qytet. Nuk e dija se kishte edhe më mirë.

Ndaj kur ti erdhe s`e dija se sa mirë do na shkonte. I thosha vetes: “Unë e kam një baba, nuk më duhet një tjetër”.

Kur ti dhe mami më thatë që do shpërnguleshim në një shtet tjetër, u mërzita. Mendova që po më hiqnit nga të gjithë ata që doja. Unë s`dija as gjuhën, s`kisha asnjë shoqe atje. Po sapo shkuam, jeta eci vaj dhe kalova ditët më të bukura të fëmijërisë.

Ti më çoje në kinema, bashkë luanim, më jepje të haja shumë karamele dhe nuk i thoshim mamit. Ti mbaje balancën perfekte. Mbaj mend kur zihesha me mamin, ti më merrje me vete dhe më këshilloje. Bëje fiks siç bën një baba me vajzën. Më në fund kuptova se ç`do të thoshte të kishe baba.

Çdo gjë ndryshoi një ditë kur morëm një telefonatë. Ti ishte rrëzuar nga biçikleta. Mjekët na thanë të përgatiteshim për më të keqen.

Fatmirësisht ia dole të mbijetoje, por kurrë nuk u ktheve si më parë. Dëmtimi në tru të bëri të humbësh kujtesën dhe të mos njohësh më asnjë nga ne. Nuk erdhe më as në shtëpi. Jetove 5 vitesh në një shtëpi përkujdesi.

Marrëdhënia jonë nuk ishte më kurrë njësoj. Isha e lumtur që vazhdoja të isha prezente në jetën tënde edhe pse ti nuk ishe më në timen. Dashuria ime për ty nuk ndryshoi kurrë, në fakt u bë edhe më e madhe. Vizitat që të bëja ishin me emocione të forta.

Vitin e shkuar ti u largove përgjithmonë nga jeta si pasojë e pneumonisë. Fatkeqësisht kurrë s`të thashë ‘faleminderit’. Faleminderit që ishe me mua, që më deshe si të isha e jotja. E di që nuk do isha kjo që jam sot, nëse ti s`do kishe qenë pjesë e jetës sime.

*Marrë nga The Guardian