Njihuni me 'Vikingun' boshnjak që jeton si personazhi i serialit të tij të preferuar

Me mjekrën e trashë gri, flokët gërshet dhe një arsenal armësh mesjetare, 'Vikingu i parë' i Bosnjës e kalon kohën e lirë duke gjuajtur me sëpata në papafingon e vilës së tij prej guri.
Gjatë pesë viteve të fundit, Stipe Pleic është transformuar vazhdimisht nga ndërtues në luftëtar nordik, frymëzuar nga seriali i njohur "Vikings".
Ndryshimi filloi pasi Pleic u kthye në shtëpi, në Tomislavgrad në Bosnjën Jugore, pas disa viteve punë në kantieret e ndërtimit në Gjermani.
Në ndjekje të gjurmëve të heronjve televizivë

Ajo që nisi si shikim i tepruar kaloi në një obsesion me protagonistin e serialit Ragnar Lothbrok dhe jetën e luftëtarëve nordikë, të cilët nisën bastisje nëpër zona të ndryshme të Evropës midis shekujve 8 dhe 11.

"Kam pasur shumë kohë të lirë sepse jetoj vetëm këtu. Kur po shikoja serialin pashë sëpatën e Ragnar, më pëlqeu dhe doja të bëja të njëjtën gjë", thotë 57-vjeçari, i cili punon edhe si shofer në bashki.
Duke ndjekur hapat e Ragnarit, ai filloi të bënte armë me dorë, të stoliste muret e vilës së tij me shpata e mburoja. I veshur me rroba të ngjashme me ato të personazhit në serial, Pleic e pati shumë të lehtë të arrinte pamjen që donte.
Punishtja e tij tani i ngjan një seti filmi pasi është e kompletuar me një fron të rrethuar me sëpata dhe mbështetëse krahësh me gëzof dhelpre. Mburoja të kuqe bashkë me flamujt suedez dhe norvegjez varen përkrah posterave të mëdhenj të yjeve të serialit.
Në kopshtin e tij, ai ka ndërtuar një kopje të një drakkar, një varkë me fund të sheshtë e aftë të lundrojë oqeanet, por me të cilën herë pas here lundron në një liqen aty pranë.
"Jeta ime ka ndryshuar 180 gradë. Qëllimet e mia janë të ndryshme," thotë Pleic për transformimin e tij dramatik, duke përmendur harmoninë që vjen me stilin e jetesës së vikingëve.
Me kalimin e viteve, ai ka bërë qindra sëpata, shtiza, harqe, mburoja dhe pothuajse çdo gjë tjetër që sheh në shfaqjen televizive, objekte që kërkojnë javë të tëra pune për t'i përfunduar.
Shumica e sëpatave të tij të punuara me dorë u janë ofruar miqve ose janë shitur, disa pjesë deri në 300 euro.
Çfarë ka planifikuar vikingu boshnjak për të ardhmen?
Në të ardhmen, ai shpreson të ndajë obsesionin e tij me të tjerët duke organizuar kampionatin e parë boshnjak të hedhjes së sëpatës dhe duke ndërtuar një fshat të tërë vikingësh për turistët.
“Dikur në Gjermani fitoja më shumë para në një ditë sesa fitoj tani në muaj”, thotë ai. "Por unë nuk isha i lumtur. Tani jam."