Histori Personale

Rrëfimi frymëzues i basketbollistes ikonë të Tiranës Mirza Alibegaj, që luftoi me sëmundjen në gji e s'qau asnjëherë

Rrëfimi frymëzues i basketbollistes ikonë të Tiranës

Nuk ka asgjë të keqe të qash, por është akoma më mirë kur gjërat sado të vështira i përballon me optimizëm. Si Mirza Alibegaj. Basketbollistja ikonë e Tiranës tregoi në një intervistë për Tiranapost nga momento që zbuloi gjëndrën në gji, e deri tek shakatë që bënte me partnerin një ditë përpara ndërhyrjes.

"Kur luaja basketboll kam pasur një goditje që quhej një kalçifikim, jo shqetësuese, por duhej kontrolluar. Pa qenë shqetësim i madh. Vjet kalova Covid-in në tetor edhe thashë me këtë rast po bëj një skaner edhe të shoh edhe si jam me mushkëritë, edhe ta shoh edhe këtë gjëndrën që kam në gjoks, që kisha 10 vjet që më dhimbte dhe mendoja, meqë më dhemb, nuk është kancer. Edhe pak mendjen e lehtë nga ana ime. Aty më tha doktori që Covid-in e ke kaluar pa problem, por duhet të shkosh të kontrollosh patjetër gjirin me urgjencë. Dhe kështu bëra mamografinë, ekon dhe më duhej të më kontrollonte patjetër një onkolog. Unë ndërhyrjen nuk e kam bërë këtu, por kjo nuk ka lidhje. Unë edhe mamografinë, edhe ekon e kam bërë në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” dhe doktorët aty çfarë më kishin shkruar në letër, ato që më kishte shkruar ekografi, ato më dolën edhe kur ika jashtë. Për këtë jam e kënaqur që kisha të njëjtën diagnozë nga të dy palët.

Ka një arsye pse Mirza e ndjen veten me fat, mes gjithë kësaj situate.

"Unë mendoj që jam me fat brenda gjithë kësaj gjësë, edhe në rastin e Covid-it që më erdhi dhe më shtyu për të bërë diçka, sepse nganjëherë ne jemi shumë tolerantë. Të merr jeta përpara dhe tolerantë me veten dhe përsa i përket shëndetit. Unë nuk kisha bërë 2-3 vitet e fundit ekografi dhe as mamografi dhe ky ishte gabimi im. Por kjo ndodh ngaqë të merr jeta me vrullin e vet, me problemet, me njërën me tjetrën. Hajt se e bëj më vonë. Hajt se muajin tjetër e muajin tjetër harrohesh e kështu me radhë. Kjo u bë shkak. Si të them, ma çoi Zoti Covid-in që unë të ndiqja problemin".

Por fillimi ishte disi i vështirë.

"Kur e mora vesh u pezmatova që nuk isha kontrolluar. E kapa me veten që nuk isha kontrolluar që ta kapja më herët, pa shkuar deri këtu. Pastaj e mora me sportivitetin tim, që i marr zakonisht gjërat dhe thashë çfarë më ka rënë, do ta ndjek. Nganjëherë Zoti ua çon njerëzve që janë të fortë gjërat për t`i përballuar. I provon".

Me humor pastaj e priti edhe ndërhyrjen.

"Një ditë para se të shkoja në spital, i thashë: Niko më shih tani, por nesër kur të vij, do jem sikur ta bëj me sy. Se nuk e kam një anë të gjoksit".

Mirza e ka kryer dhe kimioterapinë e fundit dhe mënyra sesi e shikon përshkruhet më së miri në këto rreshta.

"E kam marrë me sportivitet, sepse mendoj që unë këtë gjë do ta kaloj. Do të kujdesem për veten time. Gjërat i ka shkruar Zoti. Ai më tha që nuk je kujdesur shumë dhe ma dha shenjën që duhet të kujdesem më tepër".