Histori Personale

TED Talk/ ‘Çdo gjë ndodh për një arsye’ dhe gënjeshtrat e tjera që zbulova kur u sëmura me kancer

TED Talk/ ‘Çdo gjë ndodh për një arsye’ dhe

Ka disa lajme shëndetësore që askush, absolutisht askush nuk do që t`i dëgjojë. As unë nuk isha përgatitur. 3 vjet më parë mora një telefonatë në zyrë. Ishte përgjigjja e një skaneri që kisha bërë së fundmi. Isha 35 vjeç dhe më në fund po jetoja jetën që gjithmonë kisha dashur. Isha martuar me të dashurin tim të gjimnazit dhe më në fund kishim djalin tonë pas disa vitesh infertilitet. Isha pranuar në punën e parë që kisha aplikuar, në akademi. Isha duke punuar dhe duke jetuar me burrin tim.

Kisha filluar të ndjeja dhimbje stomaku dhe isha vizituar disa herë për të mësuar përse? Askush s`po më përgjigjej. Dhe pastaj një asistente e klinikës më telefonoi të më thoshte që kisha kancer të gradës së katërt dhe që duhet të shkoja menjëherë në spital. Dhe gjithçka që më shkoi në mendje në atë momente ishte: Po unë kam një djalë. Unë s`mund të largohem. Kjo botë s`mund të marrë fund kështu. Është vetëm fillimi i jetës. Telefonova burrin dhe ai erdhi drejt meje e i tregova gjithçka që dija. I thashë: Të kam dashur dhe të dua shumë, të lutem më fal dhe kujdesu për djalin.

Shkova në spital dhe ndërkohë po mendoja: Sa ironike! Sapo kisha shkruar një libër me titull “E bekuar”. Jam historiane dhe eksperte e idesë që gjëra të mira u ndodhin njerëzve të mirë. Jeta është si një bumerang: nëse sillesh mirë, gjëra të mira do të ndodhin. Mendo dhe fol pozitivisht. Asgjë s`është e pamundur. Kur e vendosa titullin e librit “Bleesed” nuk e dija që do vinte një ditë që ky do ishte një nga hashtagët më të përdorur në rrjete sociale dhe do shkruhej edhe për të thënë: Faleminderit Zot që më rrinë bikinit kaq bukur #ebekuar.

Sa më shumë u përballa me sëmundjen, aq më shumë po krijoja versionin tim të shprehjes: Gjëra të mira u ndodhin njerëzve të mirë.

A s`isha unë e mirë? S`isha unë speciale? Nuk nuk kam bërë asnjë vrasje, deri tani. Kështu që pse po më ndodh kjo?

Në jetë e dimë që ka “më parë” dhe “pas”. Të gjithë thonë që s`duhet mbajtur koka pas, por unë them jo, më parë ishte më mirë.

E ndava historinë time me The New York Times dhe dua t`ju them se ndarja e historisë nuk të bën më pak të vuash. Që nga ajo ditë marr mesazhe dhe emaile pafund, edhe sot, dhe mendoj që më shkruajnë më shumë për pyetjen që shtrova: Si do të jetonit pa kërkuar kaq shumë arsye për gjërat e këqija që ndodhin? Pyeta: Si do jetonit pa këto formula mizore sipas të cilave njerëzit pretendojnë që meritojnë. Dhe e dini se si shumica reaguan pas historisë sime? Mbrojtën idenë se diçka duhet të kisha bërë që më kish ndodhur kjo. Për më tepër synonin që unë të kuptoja arsyen. Disa më shpjegonin sesi ky ishte plani që Zoti kishte për mua kështu që unë i kisha ndihmuar njerëzit me shkrimin tim që të mësonin nga historia ime.

Disa të tjerë, teksa unë ndodhesha ende në spital, i thoshin burrit tim se gjithçka ndodh për një arsye dhe pastaj habiteshin kur ai u përgjigjej: Do doja të dija këtë arsye. Do doja shumë ta dija arsyen përse gruaja ime po vdes. Dhe e kuptoj. Ne të gjithë kërkojmë arsyet. Ne duam të dimë se si veprimet tona do na shpërblejnë një ditë, se si ato do t`i bëjnë më të lumtur familjarët tanë. Ne duam të jetojmë në një botë ku asgjë nuk shkon dëm. Ajo që unë mësova duke jetuar me një kancer të gradës së katërt është se nuk ka një lidhje të fortë mes asaj se sa unë përpiqem dhe jetëgjatësisë.

Në tre vitet e fundit kam pasur aq shumë dhimbje dhe traumë sa që s`kisha menduar kurrë që mund t`i mbijetoja.

Po në të njëjtën kohë ndjeva dhe kaq shumë dashuri, dashuri që e kam të vështirë edhe ta shpjegoj. Një ditë më parë po lexoja disa gjetje të një studimi “Near Death Experience Research Foundation”, kryer me njerëz që për pak kishin prekur vdekjen dhe ishin rikthyer në jetë. Të gjithë për arsye të ndryshme, disa në aksidente automobilistike, të tjerë gjatë lindjes së fëmijës, disa në tentativa për vetëvrasje dhe shumica prej tyre raportonte të njëjtën gjë të çuditshme: dashuri, kishin ndjerë dashuri. Këtë kishin ndjerë në momentet pak para fundit. Nuk do ta kisha kuptuar nëse nuk do më kujtonte historinë time. Diçka që askujt nuk ia kam thënë. Kur isha e sigurt që do vdisja nuk ndjeva inat, ndjeva dashuri. Edhe pse një nga momentet më të vështirë, edhe pse u ndjeva e braktisur nga Zoti.

Tani jam më mirë dhe terapia po shkon mirë. Kontrollet me skaner vazhdojnë. Shpresoj të kem një jetë të gjatë, aq të gjatë sa të vijë koha kur ta vë në siklet djalin tim adoleshent dhe të shoh burrin tim të humbasë flokët e tij të bukur. Për momentin kam mësuar të jetoj pa llogaritur kostot.

Kate Bowler, historiane