Histori Personale

Gazetarja e Tiranapost rrëfen dy javët me Covid: Sekreti i përballjes time me virusin!

Kam shkruar artikuj të panumërt për covid në Tiranapost në 10 muaj, por në datën 28 tetor u takuam, pra u infektova dhe vetë. Kam vendosur që si gazetare ta ndaj këtë eksperiencë dhe me atë rast të lidh informacionet me faktet. Disa gjëra nuk janë siç duken, si për mirë dhe keq. Unë nuk shkova në privat, as familja ime. I besuam 127-s dhe pritëm përgjigjet, edhe kur i morëm pas 7 ditësh, por ne e gjykuam familjarisht që në dorën tonë ishte kujdesi, dhe u izoluam. Nesër rikthehem në zyrën e Tiranapost dhe jam e lumtur, sepse nuk ka si shëndeti dhe rutina.

Gazetarja e Tiranapost rrëfen dy javët me Covid: Sekreti i

‘Përshëndetje, jo për t’u bërë paranojake, por mendoj se unë dhe familja ime jemi me Covid’.

Ishte kjo biseda që pata me 127-n, pas së cilës dyshova që të gjitha shenjat që për tre ditë rresht mendoja se ishin thjesht një grip apo rrufë, në të vërtetë ishte virusi. Po mund të gënjeheshe. Fillimisht e mora me sportivitet, duke u thënë që gjithë atyre që pyesnin- ke Covid? – e vendosur që ‘Jo’.

Shenjat e para në familjen tonë i pati mami, që ashtu si unë, mendonte se ishte thjesht një rrufë. Është një prirje që mesa duket na ndodh të gjithëve dhe Covid në jetën e secilit na përball me disa faza të gjendjes psikologjike, veç asaj shëndetësore: e para mohimi.

Ditën që telefonova 127-n mendoj se kalova në fazën e dytë, atë të dyshimit. Nisi pasi im atë shfaqi shenja temperature dhe rrufi, për të cilat vuri fajtor një problem tjetër të gjendjes së tij shëndetësore. Ime më, që shpesh gjatë problemeve të ndryshme i ka besuar ‘doktoreshës’ brenda saj, edhe pse profesioni i saj ka të bëjë me një aspekt tjetër, atë të edukimit, kishte vetëm 3 ditë shenja (temperaturë të ulët, rrufë, dhimbje koke dhe lodhje).

Në telefonatën që pata me 127-n, ishte dita kur kisha këto shenja: temperaturë jo të lartë (37), hundë të mbufatura dhe një dhimbje koke që nuk ikte prej tre ditësh. Por mbi të gjitha ishte një ndjesi që e provon për herë të parë lodhjeje, që të heq dëshirë, vullnet dhe çdo pikë pozitiviteti, sa për të mos u ngritur dhe nga shtrati. E mendova më shumë si një telefonatë informuese, plus atyre që unë si qytetare, por edhe si gazetare, kisha lexuar, dëgjuar apo publikuar. Personi që ndodhej në anën tjetër të telefonit më lidhi me një mjeke. Bëri regjistrimin tim në sistem dhe më tha se grupi epidemiologjik do të vinte për të bërë tamponin brenda 48 orëve. Dy mendimet e para: e gjitha kjo po ndodh vërtet dhe do duhet të interesohemi për trajtim!

Telefonata u bë të shtunën, dy vajzat të reja për të na bërë tamponin erdhën të hënë pasdite. Momentet e pritjes për të bërë tamponin, duket sikur ishin më të ‘ankthshme’ se ato për përgjigjen. Ndërkohë njoftova zyrën dhe e mbyllën punën nga redaksia. Gjatë gjithë kësaj periudha punova nga shtëpia dhe isha gjithë kohës aktive. 

Isha në fazën e ndërgjegjësimit dhe pranimit! Një ditë më parë kuptova që nuk kisha nuhatje, shije po. Ndjesa më e çuditshme në botë, nuk mund të ndjesh aromën e parfumit, të rrobave të sapolara, të luleve, të gjellës apo supës që gatuante mami, apo të çajit. Një aromë bosh! Por sigurisht nuk është pasoja më e keqe e Covid. 

Dita e tamponit, testi në gojë dhe në hundë ishte shumë i shpejt dhe asnjë vështirësi. Secili e përjeton ndryshe mesa kam kuptuar nga ata që e kanë provuar. Por u vendosa para një prove: duhet të zgjidhja mes mamasë dhe babait, se kujt do t’i bëhej. Ishte një tampon për mua, që duhej kryer pasi emri im ndodhej në sistem dhe një tampon i dytë, që vendimin e mori im atë dhe e bëri ime më.

Për të marrë përgjigjen ‘pritëm’ 7 ditë. U karantinuam të tre në shtëpi dhe asaj jave ia kushtuam analizave të gjakut. Rezultatet ishin në parametrat e duhura. Gjatë kësaj periudhe nuk takuam askënd. Përgjigjen e mora ‘me mik’ nga një doktoreshë në ISHP, një ditë para se të isha mes shifrave të të infektuarve me Covid (që ishte një ditë me rekord të ri, mbi 500 me Covid). Të shtunën më shkruan një tekst: Jeni të dyja pozitive.

Mendoj se kjo është një fazë e vështirë psikologjike për të gjithë dhe mund të cilësohet si fazë frike apo paniku. Por që të dyja nuk zgjidhin asgjë. Vërtetimi i dyshimeve të tua të përballet me disa emocione që për shumë nuk janë të lehta të menaxhohen. Por e vetmja gjë që mund dhe duhet të bëhet është të komunikohet me një specialist: në këtë rast me mjekun e familjes.

Asnjë antibiotik. Gjithçka që iu dha prindërve të mi ishin vetëm vitamina, që gjatë një interviste që dëgjova pak ditë më parë të imunologut Genc Sulçebe nuk e shërojnë koronavirusin dhe marrja me tepri e tyre mund të shkaktojë probleme të tjera shëndetësore. Unë vendosa që ta kaloj duke mos konsumuar asnjë suplement dhe t’ia besoja të gjithën sistemit tim imunitar, ushqimeve dhe lëngjeve. Dhe i gjithë trajtimi kushtoi rreth 20 mijë lekë të reja.

Por Covid nuk përfundon kur ti del negative, ndërsa shumë persona vuajnë nga pasojat post tij, e sigurt është që të gjithë vuajnë nga ajo që po e cilësoj fazën e paragjykimit. Ti je negativizuar, ke përfunduar karantinën, ke kaluar një periudhë jo të lehtë për të paktën 3 javë mes sëmundjes dhe frikës, por tani do të duhet të përballesh me ata që të rrethojnë, të afërm apo miq. Ndërsa bisedat apo thirrjet me kamerë kanë qenë të shpeshta, ajo që të mungon është kontakti njerëzor. Do përballesh me një lloj refuzimi, ndoshta jo gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë, kështu që ke dhe një sfidë tjetër për të kaluar!

Këshilla: Shijo ajrin e pastër, natyrën, zbukurimet e festave dhe çdo gjë që të jep një ndjesi pozitive... qoftë edhe vetëm!

Jearta Çaushi, gazetare Tiranapost.al