Histori Personale

Video/ Mjekja 43-vjeçare pa asnjë sëmundje të hershme, tregon si luftoi me COVID-19 që desh i mori jetën

Video/ Mjekja 43-vjeçare pa asnjë sëmundje të hershme,

Unë jam doktoresha De Rosa, mjeke veterinere e provincës Avellino, një nga rastet e parë të Ariano Irpino, pozitiv me Covid-19. Tani do ju shpjegoj përse jam këtu, duke ju dërguar këtë mesazh me zë e figurë, mbi të gjitha sepse doja të ndjeni dhe jo vetëm të dëgjoni ose lexoni. Më vjen keq edhe nëse do shqetësoj emocionalisht dikë, me mënyrën se si po prezantohem. Është një zgjedhje e peshuar mirë, përse nuk u mjaftova me një status të shkruar. Se një letër e shkruar edhe pse e shoqëruar me një foto, nuk do jepte të njëjtën ide dhe mesazh që unë dua të transmetoj. Jam e izoluar në një dhomë spitali, e kam humbur numërimin e ditëve, nuk mund të hap as dritaren dhe kam kontakte me njerëz vetëm dy herë në ditë: njëherë me mjekët që vijnë më kontrollojnë parametrat dhe herën tjetër kur me sjellin mëngjesin, drekën dhe darkën që ma lënë pas dere dhe e marr vetë.

Koronavirusi më shkaktoi një pneumoni të rëndë dhe insufiçencë respiratore. Jam një grua 43 vjeçare që para këtij episodi gëzoja një shëndet të shkëlqyer. Pas vdekjes së babait, kjo është eksperienca më e keqe e jetës sime. Po luftoj për t`u kthyer sërish te familja ime dhe sot pata tamponin e parë negativ, kështu mund të marr frymë më mirë dhe të arrij të flas. Më në fund mu rikthyen shpresat dhe duket se po e fitoj luftën.

Nuk ka fjalë për t`i përshkruar ndjenjat që ka përjetuar këto ditë: trupi im, mendja ime, shpirti im. Nëse nuk gjendesh përballë kësaj situate, kaq pranë vdekjes, nuk do ta kuptosh kurrë sa e dhimbshme është.

Motivi i mesazhit tim është të më shikoni në sy se si dukem. Jo të gjithë, për të mos thënë që shumë pak njerëz e kanë kuptuar vërtet se për çfarë po flasim, nuk e di për injorancë apo se nuk kanë akoma frikë mjaftueshëm. Dhe sot dua që të më shikojnë sa më shumë dhe të kuptojnë se ç`do të thotë të luftosh me këtë virus, me Covid-19, me vdekjen.

Sa prej nesh nuk i kanë zbatuar masat e marra? Sa prej nesh nuk e respektuan karantinimin? Nuk u ndjenë të detyruar për ta bërë. Dhe për këtë i vunë të gjithë në rrezik dhe vazhdojnë ta bëjnë. Jeta e tyre, e imja e gjithë të tjerëve. Ndaj gjendem këtu. Secili prej nesh duhet të bëjë detyrën e tij. Është e kot të merresh me institucionet nëse vazhdojmë të shkojmë si zakonisht në punë e vazhdojmë të bëjmë pazaret. Jemi të gjithë fajtorë, në nivele dhe gradë të ndryshme. Doja të më shikonit këtu brenda, me mikun tim respirator, me atë që më ka shpëtuar jetën, bashkë me mjekët dhe dashurinë e Zotit që vendosi të mos ishte ky momenti im dhe që duhet të kthehem tek familja ime, tek vogëlushet e mia. Faleminderit dhe gjithëve dhe më falni nëse ju trishtova, por ishte mënyra ime për t`ju zgjuar ndërgjegjen.

*Artikulli u realizua nga Fabjola Hije