25 Rreshtat e Mirës

I vjetri dhe i riu ose Edi dhe Albini

I vjetri dhe i riu ose Edi dhe Albini

Albin Kurti ka nevojë të provohet në pushtet! Edi Rama është i sprovuar në pushtet. Albin Kurti mësoi të bëjë kompromise që kur ishte në parapushtet. Edi Rama ka bërë kompromise aq herë sa ka teshtitur kur ka qenë me grip. Politika nuk është treni i miqësive të sigurta por as i armiqësive të sigurta. Ndryshon tërë kohës, dhe e reja ishte që sot dy kryeministra nuk ndryshuan për hir të saj! Nuk pamë filmin e vjetër por një film të ri, nga i vjetri dhe i riu.

Dy kryeministrat shqiptarë nuk ngjajnë në profilin politik e publik! Janë oratorë, por me shije diagonalisht të kundërta Një gjë: mund të mendojnë ndryshe, por nuk duhet të ishin inatçor! Ndoshta nuk qe edhe aq keq: shumë më mirë sesa hipokritër ama! PO, në takimin e parë në Tiranë në konferencën për shtyp pati tension. Të gjithë e lexojnë në mënyrën e vet, por nëse në të gjithë parabolën e këtij takimi jo dhe aq historik mes Ramës dhe Kurtit, Edi Rama kish një të drejtë kur i kujtonte pa takt homologut kosovar se ishte i ri në detyrë.

Patjetër që sot Albin Kurti e ka të lehtë të jetë më i qartë, më fjalëpakë, më i duruar. Këtë fundit e ka dhunti dhe tipar dallues si lider. Do të ishte ‘fake’ që dy njerëz që kanë kohë që nuk janë në një shinë, të shfaqeshin sot të buzëqeshur. Secili luajti as më shumë as më pak veten e tij, me të mirë e me komplekse ballkanike. Në fund: Edi Rama dukej më i vërtetë krahë Albin Kurtit se krah Haradinajt, apo edhe presidentit Thaçi.

Albin Kurti më i qartë në metodën sesi do të qeverisë krahë Ramës. S’besoj se përzemërsia në takimet me Ilir Metën dhe Lulzim Bashën na njohën me të aq sa konferenca me Edin. Sigurisht më i vjetër Rama dhe më i ri Albini, kjo s’do mend! Kush duhet të mërzitet për këtë fakt?!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]. / Tiranapost.al