Showbiz

Intervista e fundit e Pjetër Rodiqit në televizion kur foli për historinë e dashurisë me Vaçe Zelën

Intervista e fundit e Pjetër Rodiqit në televizion kur foli për

Bashkëshorti i këngëtares së madhe Vaçe Zela, Pjetër Rodiqi u nda nga jeta paraditen e sotme, në Tiranë. Intervista e tij e fundit televizive ishte rreth 3 muaj më parë në “Top Channel”, ku Rodiqi foli për njohjen me këngëtaren e mirënjohur, e cila ndërroi jetë pesë vite më parë nga një sëmundje e rëndë.

Gjatë intervistës së 11 prillit, ai rrëfeu se historia e tyre nisi në Lushnjë, ku për herë të parë dhe të fundit Rodiqi luante bilardo.

Ai tregoi se nuk e njihte këngëtaren fillimisht, ndërsa u dashurua jo vetëm me bukurinë e saj, por edhe me inteligjencën.

“Unë kam kryer shërbimin ushtarak në Lushnje dhe kënaqësia e vetme ishin ato shëtitjet që bënim dhe në të njëjtën kohë e vetmja qendër ishte Shtëpia e Kulturës. Nuk e dija as kush ishte Vaçja, as që ekzistonte. Unë e njoha duke luajt bilardo, kur edhe sot e kësaj dite nuk di të kem lozur ndonjëherë bilardo. Aty nisi ndjenja jonë. Shiko, Vaçja sa ç’qe këngëtare e mirë, aq ishte edhe e zgjuar. Ishte inteligjente me plot kuptimin e fjalës. Sa e madhe dhe e zgjuar. Më tërhoqi me intelektin e saj. Ne ishim të rinj atë kohë dhe kishim interes për letërsi, poezi e kështu gjërash”, tha Pjetër Rodiqi gjatë emisionit “Soiree”, i cili iu dedikua për 80-vjetorin e saj të lindjes së këngëtares.

Edhe vajza e tyre Irma, në një intervistë të po këtij prilli kujtoi dashurinë e madhe që kishin për njëri-tjetrin nëna dhe babai i saj, por mes tyre nuk pati xhelozi./ Tiranapost.al

http://www.tiranapost.al/ndahet-nga-jeta-bashkeshorti-i-vace-zeles-pjeter-rodiqi/