Aktualitet

Ishin të maskuar, ne ulëritëm! Biznesmeni rrëfen grabitjen në vilën në Tiranë dhe si u plagos bashkë me gruan

Ishin të maskuar, ne ulëritëm! Biznesmeni rrëfen grabitjen

Ka dëshmuar në polici për ngjarjen, Petrit Laze, kryefamiljari, në shtëpinë e të cilit u futën dy grabitës duke vjedhur një sasi parash, por në përleshje e sipër u plagos nga autorët, bashkë me gruan e tij Afërdita Laze. Ai ka treguar se ishin dy grabitës, me maska, të veshur me të zeza dhe me armë në dorë. Ata i kanë kërkuar vendin e kasafortës dhe më pas kanë tentuar ta lidhin me natriban, ç'ka solli përleshjen dhe më pas plagosjen. Të bërtiturat e tyre dhe të vajzës kanë bërë që grabitësit të largohen, por më parë duke i qëlluar.

Para policëve, Petrit Laze dëshmoi:

“Dëgjova zhurmë që u hap dera dhe dola për të parë. Pashë dy të rinjtë të gjatë të maskuar dhe veshur me kapota të gjata dhe të zeza. Njëri kishte pistolete në dorë ndërsa tjetri një armë tjetër më të gjatë. Më thanë ‘duam lekët’! Ku e keni kasafortën? Në dorë mbanin një ngjitës natriban dhe u turrën të më lidhnin. U përleshëm dhe më qëlluan. Pastaj qëlluan dhe Afërditën. Ne ulëritëm, kërkuam ndihmë dhe ata u larguan me vrap”.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e diel, në vilën e familjes Laze në Allias të Tiranës. Çifti ka në pronësi disa pika Furrë Buke, një prej të cilave ndodhej në katin e parë.

Në polici janë shoqëruar disa persona, por aturët akoma nuk janë kapur. Dyshohet se grabitësit mund të kenë njohje me familjen Laze, pasi në vilën e tyre kanë një sistem alarmi që aktivizohet në orën 22:30, por ata duke e ditur mjaft mirë, kanë hyrë në vilë në orën 21:45.

Petrit Laze dhe Afërdita Laze ndodhen në spital ku po trajtohen nga plagët që morën./ Tiranapost.al. E.B

http://www.tiranapost.al/foto-detaji-me-sistemin-e-alarmit-ngre-dyshime-grabitesit-mund-te-kene-njohje-me-familjen-laze-ne-tirane/