Sa nje kafe nga Iva

Jeta në çift, shtatë leksione praktike

Se çfarë ka një gjë që nuk shkon me mua. S’di se si jam kaq e zonja të shkaktoj një krizë. S’di se si, por sapo kalon ajo faza e parë, ai muaji i parë i një lidhjeje kur befas ja: kriza.  Ndoshta të jesh vetëm është më mirë… Por, po të ishte kështu, nuk do ishin të gjithë njerëzit duke kërkuar që të jetonin në çift.

Dhe ja pra, në çift. Po tani? Tani do jemi çdo ditë kështu?! Çdo ditë njësoj?!

Kulmi është se dhe para kësaj çdo ditë mund kishte qenë njësoj: punë, shtëpi, palestër, ndonjë darkë me shoqe, ndonjë klub hera herës, libra, revista dhe filma, dhe në atë përditshmërinë tënde je single e lumtur, kurse sapo kalon ai muaji i parë befas, në përditshmërinë në çift ndihesh krejt e palumtur. S’di se si vjen kjo… Di vetëm që grindja nis për çdo gjë.

Nisin ankesat për gjërat e tij, për mënyrën sesi ai flet më atë tonin urdhërues, sesi ai nuk flet fare apo si të thotë ty që flet shumë (unë shumë?? Kuuurëëëë!!!) Sesi ai do dy orë të zgjohet ndërsa ti fillon tërr tërr tërr që në pikë të mëngjesit. Dhe gjërat që deri tani kanë qenë më të padëmshmet, mund të sjellin debate dhe sherre te mëdha.

E ndien se si e gjitha po të rrëshqet nga duart dhe i vë vetes detyrë të mos zihesh. Shoqet të këshillojnë që nuk duhet të zihesh. Por ja që se si del nga vetja… dhe prapë e ngre zërin. Ai po, që nuk rri dot pa ta vënë në dukje, se si je bërë kaq grindavece. Dhe të thotë të vetmen frazë që urren ta dëgjosh në ato moment: “Dukeshe shumë ndryshe në fillim”.

Ishte ndryshe në fillim. E kishe gjithçka në dorë.

Sikur të mos ishe kaq impulsive?! E di dhe vetë që nuk duhet të nxehesh menjëherë, por ja që kështu je ndërtuar. Dhe ndërkohë e ndien të të kapë paniku: nuk duhet ta prishësh këtë lidhje, nuk duhet të humbësh këtë rast, duhet të provosh ta mbash, të ndryshosh… të stërvitesh, pra të trajnohesh. E kush mund ta bëjë këtë më mirë se ato që e kanë kaluar vetë këtë fazë: mikeshat dhe kushërirat e fejuara apo martuara!? Nëse flet me to, mund të zbulosh horizonte që nuk i ke përfytyruar kurrë më parë.

Pika e parë: e qara. Sipas këshilltareve, qahet për shantazh. Ndryshe nga ç’e mendoja unë, që e quaj të qarën shenjë dobësie dhe ndaj e mbaj gjithmonë, me shumë sforco madje, mesa duket funksionoka!

Pika e dytë: indiferenca. Këtë e dija si parim, por kurrë nuk kam provuar ta praktikoj, sepse nuk ia kam dalë dot mbanë as të mos ngre telefonin, sado e zemëruar të kem qenë, as të bëj sikur nuk më intereson. Sipas këshilltareve, kur ai thotë diçka që mua nuk më pëlqen, duhet të mbledh buzët dhe supet duke u shtirur si indiferente, pastaj të ndërroj temën e bisedës me një buzëqeshje (e pamundur kjo, unë këtu pëlcas!).

Pika e tretë: bindja. Kjo fjalë as që ekziston në fjalorin tim, por mesa thuhet, qenka e vetmja mënyrë që ai të jetë gjithmonë i kënaqur. Sipas grupit tim këshillimor, do duhet ta dëgjoj gjithmonë atë kur flet, t’i them vetëm “po” dhe pastaj me qetësi të bëj siç më thotë koka ime… Me thënë të drejtën, kjo më duket ide gjeniale!

Pika e katërt: të qenit e padukshme. Ti nuk duhet të lash kurrë enët kur ai sheh televizor (fshesën me korrent mos e mendo fareee) dhe mos ndërhy mbërmjeve tek pulti i televizorit të martën dhe të mërkurën kur ka ndeshje të Champions League, as te enjten kur ka Europa League, në fundjavë që janë kampionatet kombëtare jo e jo… Ndaj je qe je, lëre pushim dhe të hënën: ty nuk ka c’të duhet televizori nëse ke lidhje.

Pika e pestë: përkëdheli të kushtëzuara. Se çfarë domethënë tamam tamam kjo, akoma nuk e kam kuptuar, por mesa duket, do duhet të zëvendësoj ankimet, zërin e lartë dhe përplasjen e dyerve me përkëdhelje dhe puthje, duke i lënë atij të kuptojë se ne të dy s’kemi asnjë problem… Pastaj në një moment të dytë (sa më larg që të jetë, sipas këshillueseve), mund t’ia shpjegoj atij me qetësi (ja këtu nuk e kuptoj unë si ruhet qetësia kur argumenti ridel në skenë dhe mua më skuqen veshët dhe me merret fryma sikur ka ndodhur në atë sekondë. Kjo pika e katërt qenka shumë kot!).

Pika e gjashtë: e bukur natyrale. Ti nuk lyhesh e zhgërryhesh, ama je e bukur vetë. Ti nuk i mbledh kurrë flokët bisht, sepse dukesh si jot’ëmë. Dhe nuk rri me orë të tëra tek parrukierja sepse nuk je ajo lloj femre. Dhe duhet të bëhesh gati për pesë minuta kur ai thotë që do dilni. Se si do ia dalësh t’i bësh gjithë këto gjëra, atë e di vetë (organizohu që t’i bësh të gjitha kur ai nuk është me ty). Dhe ndërkohë fillo e praktiko një plan emergjence, lër mënjanë një veshje për të tilla raste, ai do e çmojë që ti bëhesh gati para tij dhe këtu do fitosh shumë pikë.

Pika e shtatë: jo xhelozisë. Këtu mendimi është i prerë: jo vetëm mos kontrollo kurrë (ajo që nuk di nuk më dhemb ka qenë parimi im i një jete, s’e kam problem ta vijoj), por dhe mos e shfaq xhelozinë nëse merr vesh diçka. Përkundrazi, sillu gjithmonë si mikeshë e vërtetë… Më duket shumë e thjeshtë kjo pikë. Është kjo që kam bërë gjithë jetën. Se në fund të fundit unë kam aq shumë respekt për veten, sa nuk mund ta lejoj atë të marrë vesh që jam xheloze…

Ky po më duket një skenar i njohur. Më kujton një bisedë me ishin tim, të cilit vetëm kur lidhja kishte ca kohë që kishte marrë fund, i pranova që një situatë të caktuar kisha qenë shumë xheloze. “Mirë të të bëhet zemra”, -më tha, “kështu është kur bën të fortën…”.

Me pak fjalë pesë pikat e mësipërme bien, apo jo? Rrezik duhet ta shkarkoj këtë këshill. Më duhet një këshill i ri. Si ishte kjo puna që unë bëj të fortën? Mos duhet të emëroj “këshilltar” ish-in tim? E pranon ai vallë këtë detyrë?