Evente

Veliaj merr titull nderi nga Asambleja Parlamentare e Frankofonisë

Veliaj merr titull nderi nga Asambleja Parlamentare e Frankofonisë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është vlerësuar me titullin e lartë “Commandeur de l’Ordre de la Pléiade de la Francophonie et du dialogue des cultures” (Komandant i Urdhrit të Plejadës së Frankofonisë dhe dialogut midis kulturave) nga Asambleja Parlamentare e Frankofonisë (AFP), në një ceremoni të posaçme, të organizuar pasditen e djeshme.

Në ceremoni mori pjesë edhe ish Presidenti i APF-së, Jean-Charles Luperto, i cili tha:

“Veliaj është njeriu i angazhimit, njeriu i fjalës, sepse në nëntor të vitit 2021, me rastin e Asamblesë Rajonale që u zhvillua në Tiranë, e ftoi Parlamentin të organizojë një aktivitet frankofon, në kuadër të Tiranës Kryeqyteti Europian i Rinisë. Këtë javë Tirana e meriton edhe titullin “Kryeqyteti Frankofon i Rinisë”. Qyteti juaj është sot më i hapur ndaj botës dhe dinamizmi juaj ka ndikuar shumë për këtë”, tha ai.

Veliaj merr titull nderi nga Asambleja Parlamentare e Frankofonisë

Pas marrjes së titullit, kryebashkiaku Veliaj shprehu mirënjohjen për vlerësimin dhe për përzgjedhjen e Tiranës për të pritur Parlamentin Frankofon të Rinisë.

“Jam shumë i nderuar sot, shumë faleminderit për Medaljen e Plejadës. Nuk e di a e meritoj Urdhrin e Komandantit sepse zakonisht jam shërbëtori; kryesisht merrem me pastrimin e plehrave, kanalizimet e ujërave të zeza, ujësjellësin, varrezat, mbjelljen e pemëve. Jo shumë punë komanduese, por punë të thjeshta të qytetit, që megjithatë bëjnë diferencën në qytetin tonë. Ju jam shumë mirënjohës sot që vendosët që Tirana, në vitin e Kryeqytetit Europian të Rinisë, të jetë edhe Kryeqyteti Botëror i Frankofonisë”, tha ai.

Duke iu drejtuar të rinjve, që kanë ardhur në Tiranë për punimet e Parlamentit Frankofon të Rinisë, Veliaj tha:

“Ka shumë njerëz në Shqipëri, por edhe në Kanada, në Francë, në Afrikë, në Azi, që thonë se politika është e keqe, se politikanët janë të këqinj. Por, në çdo vokacion ka njerëz shumë të mirë, siç ka edhe njerëz shumë problematikë. Kjo nuk është arsye për të mos u angazhuar në politikë. Realitetin mund ta ndryshosh vetëm kur zbret në arenë, kur zbret në fushë, te kutia e votimit, kur thua tani do marr përgjegjësi, që shumë prej gjërave për të cilat protestoj të kem mundësi t’i votoj dhe t’i ndryshoj”, shtoi më tej kreu i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj merr titull nderi nga Asambleja Parlamentare e Frankofonisë

Titulli “Ordre de la Pléiade de la Francophonie et du dialogue des cultures” u jepet figurave më të rëndësishme në botë, që luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëri.