25 Rreshtat e Mirës

Kemi nevojë për njerëz, jo sende

Kemi nevojë për njerëz, jo sende

Para disa javësh, dëgjova rastësisht një TedTalks nga Isabelle Allende, ku thoshte diçka të mrekullueshme për vdekjen. Dhe të të frymëzojë një fjali në dukje e zakontë për vdekjen nuk është pak. Për parantezë, Isabelle Allende dhe libri i saj "Shtëpia e Shpirtrave" është i pari që më ka ndarë nga librat e fëmijërisë si "Aventurat e Tom Sojerit" apo të tjera kopertina. Halla ime, në ato vite gjimnaziste (jemi në vitet ‘80, në Republikën Socialiste të Shqipërisë), kishte qarkulluar nën dorë një libër. Besoj që nuk kam kuptuar asgjë në atë kohë, veç kënaqësisë së leximit të një libri për të rritur. Allende u bë kështu një grua e rëndësishme dhe përveçse e ndjek nëpër intervista dhe librat që i nis çdo 8 janar, tani kam fatin që e ndjek edhe në Instagram dhe kështu evitoj të përballem me xixa dhe tutore make-up-i dhe trullos mendjen me tipa Allendesh në wall. Në një TedTalks Allende fliste për vdekjen: "Dikur nuk mendoja për të. Tani ajo ka ardhur në lagjen time, është në çdo moment në shtëpinë time. Tani jetojmë me të", thoshte Allende, që i ka kaluar të '70-at dhe ka gjetur një dashuri të re, me të cilin bën shëtitje me qenin mëngjeseve dhe me humor shkrimtareje rrëfente në TedTalks e saj se sheh ëndrra sikur puthet me Antonio Banderas. Sot vdiq Nexhmije Pagarusha. Vdekja erdhi në të gjithë lagjen tonë të madhe shqiptare. Sot m'u kujtua Allende kur fliste për vdekjen. Nexhmie Pagarusha nuk e ka ndikuar drejtpërsëdrejti jetën time si Allende, por ajo ka bërë më shumë sesa kaq pak. Pagarusha ka frymëzuar një shqiptari të tërë. Ka frymëzuar talente dhe vajza të reja. Ajo ka kënduar kur koha sillte dhimbje, kur plagët nuk qepeshin, kur sytë nuk thaheshin nga lagështia e lotëve. Njerëz si ajo ngjajnë me një bredh, janë fiks ai bredhi që ne të tjerët, si ata fëmijët kuriozë e vanitozë, i vijmë rrotull. Shoqëritë janë si fëmijët, duan një ëndërr, një imazh e shembull. Pyeteni pak veten pse fëmijët duan personazhet e përrallave dhe nuk duan çanta të shtrenjta? Atlete Balmain? Orë me diamante? Por duan Elsën e "Frozen" dhe këndojnë pambarimisht "let it go, let it gooooo...". Shoqëritë janë si fëmijët, duan një Nexhmije, një Isabelle, një model. Vetëm se kur rritemi, komprometohemi dhe aty nisin keqkuptimet. Prandaj, sot, në ditën e vdekjes së Nexhmije Pagarushës, nuk e shoh vdekjen askund, as frikën ndaj saj, por frikën nga jeta pa frymëzim, pa referim, pa një pikëtakim. Duhet gjithmonë ai bredh që shkëlqen dhe na kujton se ashtu si fëmijët, kemi nevojë për njerëz e jo për sende. *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]/ Tiranapost.al