25 Rreshtat e Mirës

Këta të bëjnë me diabet dhe vetëm listat e kryetarit shohin në ëndrra. Ç'ne lista me fisha, fëmijë e kështu gjërash....

Ata që ia dolën të ishin në listat e kryetarëve, nuk dinë shumë nga këto punë. Edhe ata që dinë, si p.sh. zoti Vasili, i cili është mjek në profesion, ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë, iu ka rënë halli i madh i të bërit opozitë. Si në opozitë dhe në qeveri, morali i një politikani është më helmues sesa sheqeri në gjak.

Nga Mira Kazhani/ -Alo, doktor Florioni? Quhem Mira Kazhani dhe jam gazetare. Nëse keni 5 minuta kohë, do më gëzonit, sepse dua t'ju pyes për të vërtetën e këtij debatit të ditës, për fishat e diabetit për fëmijët. Kush po gënjen?

 

Doktor Florion Toto, emrin e të cilit e gjeta në Google nga disa kronika televizive të bëra nga gazetarët që mbulojnë shëndetësinë në televizione, u përgjigj pa asnjë kompleks. E theksoj, sepse zakonisht ata që e kanë të vërtetën në duar sot, e mbajnë larg nesh, dhe shumë faj nuk kanë! Sot është më e frikshme të thuash të vërtetën se të akuzosh, mashtrosh me premtime apo me opozitë! Plus, këta doktorët janë dhe tipa. Sikur nuk e vënë ujin në zjarr për çfarë ndodh përreth!

-Shiko Mira, nuk jetojmë në vendin ideal, por kjo është flluskë sapuni. Këto që dëgjove sot ti, nuk janë për t'u shqetësu. Nuk ka pasur kurrë fisha falas për fëmijët diabetikë. Po bëhet për herë të parë!

-Keni kërkuar ju?

- Është e vjetër, që në vitin 2010 jemi përpjekur që ta bëjmë diçka të tillë për fëmijët. Në atë kohë edhe përmes zonjës Berisha, që drejtonte Fondacionin për Fëmijët në Nevojë. U premtua, por historia u zvarrit. Nuk u bë kurrë asgjë! Në 2017-ën ishim shumë afër realizimit me zonjën Manastirliu dhe sikur ajo të qëndronte edhe një javë më shumë, do ishte bërë. Por ndodhën ato ndryshime në qeveri...

Kaq ishte përgjigjja e doktorit të diabetit dhe sa mirë që e gjeta atë numër dhe ai u përgjigj!

Tani, ashtu si ai, unë dhe të gjithë ne e dimë që nuk jetojmë në një vend ideal! Rimbursimi dhe listat, me shpresë, mund të bëhen realitet diku nga muaji mars, por pa mendoni pak sikur mos të kishin qenë ato historitë me çadra, me ministra që duheshin këmbyer, me hallin e LSI-së që nuk i dilnin llogaritë, të Edi Ramës që i duhej të qetësonte rivalin e tij Lulzim Basha, ky i fundit duhej vetëm të shpëtonte të pasmet e tij, aq sa ka! Ishin halle listash për karrigen në parlament. Lista të tjera shumë të rëndësishme për ta se listat e rimbursueshme të fishave apo dhe të tjerave.

Ndërkohë që këta burra e gra kanë pasur hallin e listave të tyre, vetëm për një javë më shumë ato fisha do ishin bërë realitet. Tani u bënë me 7 vite vonesë. Në këtë 7- vjeçar kanë qeverisur të gjithë ata që bëjnë gam gam sot. Në vend që t'u kërkojnë falje fëmijëve, bëjnë politikë me fishat që matin sheqerin në gjak të fëmijëve. Kushtojnë nga 70 mijë lekë të vjetra deri në 100 mijë lekë në muaj. Diabeti është një sëmundje që ngjan shumë me politikën në përgjithësi. Rri në heshtje dhe t’i prek dalëngadalë të gjitha organet, gjithmonë nëse ti e lejon dhe nuk respekton dietën!

Po kot sa flas! Ata që ia dolën të ishin në listat e kryetarëve, nuk dinë shumë nga këto punë. Edhe ata që dinë, si p.sh. zoti Vasili, i cili është mjek në profesion, ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë, iu ka rënë halli i madh i të bërit opozitë. Si në opozitë dhe në qeveri, morali i një politikani është më helmues sesa sheqeri në gjak. Copyright/ tiranapost.al