Aktualitet

Kjo është gjyqtarja e Krujës që liroi Endrit Doklen, prokuroria e Krujës kërkon përjashtimin e saj

Kjo është gjyqtarja e Krujës që liroi Endrit Doklen,

Me vendim të Gjykatës së Krujës, Endrit Dokle, i njohur si një nga drejtuesit e të ashtuquajturës Banda e Durrësit u lirua sot nga burgu.  Ai ka qenë i dënuar me burg përjetë, por gjatë proceseve gjyqësore të mëvonshme, gjykata e konvertoi dënimin nga i përjetshëm në 25 vite burg. Vendimi për lirimin e Endrit Dokles u mor mëngjesin e sotëm nga Gjykata e Krujës, ku sipas gjykatëses Enkeleda  Hoxha, ai ka kryer ¾ e dënimit dhe duhet të lirohet.

Image result for enkeleda hoxha

Por pas këtij vendimi, ka reaguar prokuroria e cila eshte shprehur se lirimi i Dokles do te apelohet si dhe ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Hoxha. Sipas prokurorisë së Krujës, vendimi për lirimin është marrë në favor të kërkuesit dhe se kërkesa nuk plotëson kushtet ligjore.

Burime pranë institucionit të akuzës, thonë se gjykata ka vendosur në zbatim të gabuar të ligjit, e për këtë shkak do t’i drejtohen Apelit.

Kush është Endrit Dokle: 

Dokle njihet si kundërshtari i Lulzim Berishës, ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm me akuzat për disa vrasje. Në 2005 u arrestua dhe u cilësua fajtor për disa krime të rënda. Gjatë kohës që ndodhej në qeli, Dokle mori një tjetër dënim, për trafik droge, pasi u provua se drejtonte nga qelia një grup të strukturuar kriminal.

Reagimi i plotë nga Prokuroria:

Gjykata e Shkallës së Parë Krujë me vendimin nr. 6/123 datë 14.01.2020 vendosi : “Pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle. Lirimin me kusht të kërkuesit Endrit Dokle, i biri i Mensurit dhe i Rahimes datëlindja 31.12.1983, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, duke e vënë në provë për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh. Në zbatim të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal detyrohet Endrit Dokle që gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të caktuar kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorë të veprës penale. Në zbatim të nenit 60 pika 10 e Kodit Penal detyrohet kërkuesi Endrit Dokle që gjatë periudhës së provës të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë. Urdhërohet kërkuesi Endrit Dokle të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës”.

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë ka qenë pjesëmarrëse në këtë proces dhe ka mbajtur qëndrimin e plotë për rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se jo vetëm se nuk plotësohen kushtet ligjore të parashikuara nga neni 64 i Kodit Penal, por edhe se nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta që kërkon norma. Gjithashtu prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çëshjtes me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të kërkuesit, kërkesë e cila nuk është pranuar nga gjykata. Të gjitha kundërshtimet në lidhje me shkeljet proçedurale si dhe zbatim të gabuar të ligjit Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë do ti parashtrojë në ankim brenda afatit ligjor./ Tiranapost.al.