Fustanet këmishë të verës që duhet vetëm të dimë disa sekrete kombinimesh

Kur mendojmë për një fustan-kemishë, mendojmë për stilin, thjeshtësinë dhe rehatinë. Nëse ka diçka për të cilën jemi në një mendje të gjithë është fakti se fustani-këmishë shkon me çdo gjë, por nuk është dhe aq e lehtë që të zgjedhësh stilin që të përshtatet më shumë. Kemi tri lloje të ndryshme stilesh për fustanet-këmishë: Fustanet-këmishë me mëngë të gjata, të cilat janë perfekte për t’i kombinuar me çizme. Më pas kemi stilin “midi” (poshtë gjurit) i cili është ideali për festat që bëhen para se të errësohet, si dhe janë të rehatshëm e mund të vishen dhe për në punë. Dhe stili i fundit mbetet të jetë stili “maxi” ose ndryshe fustanet- këmishë deri në fund të këmbëve (maxi). Me një gjatësi deri tek kyçi i këmbës, që i jep elegancë veshjes, këto fustane-këmishë të japin ndjesinë e plazhit dhe të rivierave mesdhetare.
Një fustan-këmishë mund të duket perfekt vetëm gjatë ditës, por ne nuk mund të kufizohemi nga orët e ditës.
Kombinimi i parë ka të bëjë me këtë fustan të zi nga “Zara”, i cili është i prerë nga mëndafshi i butë dhe ideali për ta mbajtur gjatë ditës në trup.
Për t’i dhënë një pamje darke mund të vëmë një buzëkuq të errët dhe të luajmë me aksesorët. Kam vendosur që këtë fustan ta kombinoj me këtë çantë të zezë ikonike nga “Bottega Veneta”, me këto pantofla (flats) përsëri nga “Bottega Veneta”, të cilat janë të punuara shirita-shirita nga lëkura e zezë e hollë dhe të mos harrojmë janë më të kërkuarat e këtij viti.
Veshja për të kaluar një pasdite me miqtë është një fustan nga “Tory Burch” në gjatësinë e përsosur për stilimin me çizme deri te kyçi i këmbës.
Këto çizme të stilit modern-klasik nga “Jil Sander” janë të përjetshme, madje do ta gjeni veten duke i përdorur ato vazhdimisht.
Ndërsa kjo çantë e stilit kovë nga “Jil Sander” e prodhuar në Itali nga lëkura e butë është idealja për sendet që na duhen gjatë pasdites.
Aksesori i fundit që kam vendosur të zgjedh për këtë veshje është ky një vëth i vetëm (single hoop earring) nga “Maria Tash”.
Përfytyrojeni veten tuaj duke ecur pranë bregut të detit me një muzikë në sfond që ju shoqëron gjatë ecjes me këtë fustan-këmishë të printuar nga “Zara”, tepër të rehatshëm dhe plot lule.
Kjo çantë supi nga “Mansur Gavriel” ka një ngjashmëri tepër të madhe me stilin e çantës së “Bottega Veneta”. Është një çantë e përditshme, kështu që shkon me çdo gjë.
Kam zgjedhur dhe këto sandale nga “Studio Amelia”, të cilat janë të punuara nga lëkura e bardhë me shirita të hollë sipër. Bëjini tuajat dhe për stilin e përditshëm.