Kosova

Albin Kurti flet pas tërheqjes nga vendimi për targat dhe thotë se Kosova do aplikojë si vend kandidat në BE

Albin Kurti flet pas tërheqjes nga vendimi për targat dhe thotë

Albin Kurti ka folur për herë të parë në lidhje me vendimin e tij për tu tërhequr nga marrëveshja për targat, duke iu bindur apelit të ndërkombëtarëve që ta shtynte për një tjetër afat zbatimin e saj.

Tërheqja nuk u prit mirë nga një pjesë e politikës, si Partia Social Demokrate, eksponentë të së cilës e goditën pak ditë më parë Kryeministrin Kurti edhe me qershi, për mos mbajtjen e një qëndrimi koherent, duke e quajtur madje edhe në drejtim të kundërt të interesave të Kosovës, më konkretisht një pranim të asosacionit të komunave serbe në veri.

Por Kurti në një intervistë me gazetarin e njohur Michael Martens, në Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka thënë se nuk kishte zgjidhje tjetër përballë presionit dhe informacioneve se situata në veri mund të përshkallëzohej.

“Ambasadori amerikan kishte më shumë informata se unë mbi situatën në veri”, citohet të ketë thënë Kurti, pa shkuar në detaje të mëtejme.

Gazetari ka publikuar vetëm një pjesë nga intervista e cila ende nuk është publikuar e plotë.

Në këtë intervistë Albin Kurti ka deklaruar gjithashtu se Kosova do të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Europian në dhjetor.