Kosova

Video/Albin Kurti flet për CNN dhe vendos pikat mbi I

Video/Albin Kurti flet për CNN dhe vendos pikat mbi I

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është vënë në një presion orët e fundit edhe nga ShBA, për një akt që në thelb është e drejtë e një kryeministri dhe e një vendi demokratik. Kërkon të zbatohet ligji në territorin e Kosovës, edhe nga kryetarët e komunave në veri të dalë nga zgjedhjet e 23 Prillit, të bojkotuara nga serbët.

Tre ditët e fundit Kurti ka treguar forcën, por duket se kjo nuk i ka pëlqyer amerikanëve, të cilët sot përmes ambasadorit Jeffrey Hovenier lajmëruan hapin e radhës, presion ndaj Kryeministri Kurti:

“Ne i kemi kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk iu është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona tjera”, tha Hovenier.

Kurti për CNN tha:

"Të gjithë faktorët ndërkombëtarë i kanë njohur zgjedhjet që janë mbajtur më 23 prill. Kur e njeh procesin dhe rezultatet, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në komuna. Kush tjetër duhet të jetë aty, nëse jo kryetarët. Po punojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në e BE-në, që i konsiderojmë aleatë shumë të vlefshëm, e partnerë. Do të bëjmë më të mirën, por, nuk do ta dorëzojmë republikën demokratike te milicia fashite.

Nuk kemi të bëjmë me protestues paqësorë, por me banda kriminele, ekstremistë, ultranacionalistë të krahut të djathtë, që po paguhen e urdhërohen nga Beogradi, e të cilët admirojnë Putinin. Është milici fashite që sulmoi policët tanë, KFOR-in, e po ashtu gazetarët në terren. Nuk është e mundur të mos kesh kryetarë në komuna. Pushteti në Kosovë nuk fitohet me shok-bomba, krime, dhunë, por fitohet me zgjedhje. Ka dhjetëra xhirime e foto, që tregojnë se milicë serbë janë në vijën e parë të frontit të atyre që po protestojnë. Disa vijnë nga veriu e disa nga Serbia.

Kosova është republikë demokratike. Serbia është autokraci pro-ruse. Nuk ka shumë demokraci atje. Kanë urdhëruar xhandarmërinë atje të vijë e të bëjë trazira në veri të Kosovës. Dua të kem policë që mbrojnë sundimin e ligjit, e mbajnë rendin. Komunat duhet të jenë për të gjithë, jo për struktura paralele të Serbisë."