Kosova

Albin Kurti: Njohja reciproke në qendër të dialogut me Serbinë, jo Asociacioni!

Albin Kurti: Njohja reciproke në qendër të dialogut me

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ritheksoi të enjten se propozimi europian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është bazë e mirë për diskutime rreth një marrëveshjeje që duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ndërsa nënvizoi se asnjë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk mund të ketë përparësi ndaj marrëveshjeve tjera.

Kryeministri Albin Kurti u takua mbrëmë në një darkë pune me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për bisedimet Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, për të diskutuar hapat e radhës në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Albin Kurti: Njohja reciproke në qendër të dialogut me

“Ne jemi pajtuar që të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në dialog duhet të zbatohen plotësisht”, u shpreh Lajçak përmes një mesazhi në rrjetet sociale.

Kryeministri Kurti tha se diplomatët po këmbëngulin që marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të theksohet më shumë.

“Por, ajo marrëveshje tashmë është e theksuar sepse është e vetmja marrëveshje nga 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të paraqesë propozimet e saj për asociacionin, ndërsa ambasada amerikane në Prishtinë ka ftuar në një takim në fund të këtij muaji përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar këtë çështje.

Kryeministri Kurti tha se asociacionet e komunave që janë njësi territoriale dhe jo vetëm administrative, mbi baza etnike bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Njohja reciproke në qendër, jo Asociacioni në qendër, as parakusht. E ka thënë presidenti Biden, e ka thënë Kancelari Scholz dhe unë po ua përsëris këtu njëjtë”, tha ai.