Kosova

Biden i përgjigjet thirrjes së Kosovës dhe i dërgon një numër të madh vaksinash anti-COVID

Biden i përgjigjet thirrjes së Kosovës dhe i dërgon një

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me anë të një deklarate të shpërndarë në rrjetet sociale ka bërë me dije se homologu i saj amerikan, Joe Biden i është përgjigjur thirrjes së Prishtinës dhe do të dërgojë një numër të konsiderueshëm vaksinash anti-COVID për të ndihmuar këtë shtet në garën e imunizimit përkundrejt koronavirusit.

Osmani i ka dërguar një letër në datën 19 mars, ku i bënte thirrje për ndihmë me vaksina dhe sot zyrtarisht ka marrë përgjigjë pozitive. Në mesazhin e saj, kreu i shtetit të Kosovës, e cilëson Biden një mik dhe e falenderon përzemërsisht presidentin amerikan për donacionin.

Mesazhi i plotë i Vjosa Osmanit:

PRESIDENTI BIDEN NDANË VAKSINA PËR KOSOVËN

Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës.

Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Biden për këtë gjest bujar dhe për dhurimin e vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës pas kërkesës së adresuar atij në muajin mars. Njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Biden ka qenë gjithmonë mik i Kosovës dhe ky donacion ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon të tregojë ndaj popullit tonë. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës e falënderoj përzemërsisht.

Kosova dhe institucionet tona vazhdojnë të mbeten të palëkundura në orientimin Euro-Atlantik dhe të njëjtën politikë e kanë ndjekur edhe në sigurimin e vaksinave.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tiranapost.al