Kosova

Borrell: Ka pasur ide për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi, tani s'është më një mundësi!

Borrell: Ka pasur ide për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi, tani

Mes Serbisë dhe Kosovës ka pasur një tentativë për të shkëmbyer territore. Këtë ka pranuar në një intervistë për mediat serbe, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Josep Borrell.

Gjatë intervistës ai thotë se shkëmbimi i territoreve ka qenë një ide e propozuar disa muaj më parë, por tani kjo nuk është më një mundësi!

“Disa muaj më parë kishte një propozim për të shkëmbyer territore. Por kjo nuk është më një mundësi”. Borrell shton se ka shumë vende të BE-së që e kundërshtojnë një marrëveshje të tillë.

Ndërsa për dialogun, Borrell tha se aktualisht gjërat po shkojnë mirë dhe se mund të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë.

E ardhmja e Ballkanit qëndron në BE, thotë Borrell,  pavarësisht nga përpjekjet e Kinës dhe Rusisë, si dhe të Shteteve të Bashkuara për të ushtruar ndikimin e tyre dhe për të qenë aktorë të rëndësishëm.

Në fillim të muajit shtator, u nënshkrua një marrëveshje ekonomike mes dy vendeve Kosovë-Serbi. Presidenti Trump ishte i pranishëm në firmosjen e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.

Analistët thonë se kjo marrëveshje largoi përfundimisht idenë e shkëmbimit të tërritoreve.

*Artikulli i marrë nga  Nezavisne. Përkthyer dhe përshatur në shqip nga Tiranapost.al.