Prej disa javësh tashmë ish-komandantët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në burg, në pritje të nisjes së gjykimit nga Gjykata Speciale.
Burg ku ata po mbahen gjendet jashtë Hagës, në periferi, më saktësisht në Haaglanden të Scheveningen. Haaglanden është një burg unik në Holandë. Ai është i vetmi që ka një qendër kujdesi fizik, por edhe psikologjik ku të paraburgosurit që kanë nevojë për kujdes mbahen 24 orë në ditë.
Burgu mund të strehojë rreth 200 të arrestuar.
Ata që ndodhen në paraburgim lejohen të dalin në ajër të pastër dhe ushtrime fizike, si dhe për të marrë pjesë në aktivitete të tjera të përshtatshme.
Po ashtu atyre u lejohet të lexojnë dhe shkruajnë materiale dhe kanë qasje në një bibliotekë që përmban libra, revista dhe gazeta në gjuhët e tyre amtare.