Kosova

COVID-19/ Konfirmohen dy rastet e para të infektimit me variantin indian në Kosovë

COVID-19/ Konfirmohen dy rastet e para të infektimit me variantin indian

Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës ka bërë me dije lajmin shqetësues edhe për Shqipërinë si dhe vendet e tjera fqinje në rajon, se në territorin e saj janë identifikuar dy të infektuar me variantin indian të koronavirusit, i cili sipas studimeve shkencore të deritanishme rezulton të jetë më i rrezikshëm dhe më transmetues se varianti standart i virusit që paralizoi botën.

Rastet janë evidentuar pasi Ministria e Shëndetësisë dërgoi 22 mostra të infektimeve të reja në Klinikën Universitare të Virologjisë “Charite” në Berlin dhe dy prej tyre rezultuan të ketë variantin indian.

Kujtojmë se për imunizim përkundrejt këtij varianti rekomandohen që të dy dozat e vaksinave anti-COVID, ndërkohë që për shkak të përhapjes së tij në Mbretërinë e Bashkuar, data e heqjes së kufizimeve anti-COVID është shtyrë nga data 21 qershor në datën 19 korrik, ndërkohë që kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar se varianti “delta” rrezikon rikthimin e një vale tjetër infektimi në vjeshtë.

Pak orë më parë edhe shefja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico është shprehur se një hyrje e mundshme e variantit në vendin tonë mund të sjellë rikthimin e masave më të rrepta shtrënguese anti-COVID.

Tiranapost.al