Kosova

Deçani i Kosovës shpall gjendjen e emergjencës, çfarë po ndodh atje me helmimet

Deçani i Kosovës shpall gjendjen e emergjencës,

Helmimi i qindra qytetarëve në Deçan ka bërë që kjo komunë të shpallë gjendje emergjente. Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.

Gjatë ditës, udhëheqësit e institucioneve që kanë vizituar pacientët e shtrirë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, kanë bërë thirrje për hetim sa më të shpejtë të këtij rasti.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Musa Berisha tha për Radion Evropa e Lirë se fluksi i pacientëve me simptoma të helmimit ka vazhduar të jetë i madh mbrëmë dhe sot.

“Gjatë gjithë natës ka pasur fluks jashtëzakonisht të madh. Fatkeqësisht edhe gjeografia e terrenit ka ndryshuar prej dje dhe nuk bëhet fjalë vetëm për 11 fshatra, por edhe fshatra të tjera përreth”, tha ai.

Deçani i Kosovës shpall gjendjen e emergjencës,

Kujtojmë se paraprakisht sipas të dhënave zyrtare, shqetësime u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shëndetësisë, nga dita e shtunë e deri më sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan kanë kërkuar ndihmë shëndetësore rreth 1 mijë pacientë, ndërsa qindra prej tyre i kanë simptomat e njëjta të helmimit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.

Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

Në anën tjetër, Prokuroria e Pejës, ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me shkaqet e këtij helmimi ndërsa Ministria e Shëndetësisë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Deçanit që të mos konsumojnë ujin nga "Hidrodrini", derisa të përcaktohet shkaku i helmimit.

Dyshimet për papastërtinë e ujit nga ujësjellësi
Qytetarë të Deçanit për Radion Evropa e Lirë kishin rrëfyer për simptomat e helmimit dhe dyshimet mbi papastërtinë e ujit që vinte nga ujësjellësi.

Marramendje e të vjella i kapluan edhe gjashtë anëtarë të familjes Lushaj nga fshati Shaptej në Deçan të dielën, më 11 korrik.

Shkumbin Lushaj tha se uji në rubinetin e shtëpisë, që furnizohet nga ujësjellësi, nuk është i pastër tash e një javë, ndërsa që nga dita e shtunë, kanë vërejtur simptoma të lehta të helmimit.

“Kemi që disa ditë që uji nuk po vije normalisht i pastër, por është i turbulluar. Të shtunën në mbrëmje filluan disa prej simptomave, por nuk i mora si serioze. Ndërsa të dielën filloi marramendja, vjellja, diarreja... të cilat përveç meje i prekën edhe të gjithë anëtarët e familjes time”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Lushaj është njëri ndër qindra banorë të disa fshatrave në Deçan, që përjetuan simptoma të ngjashme, duke ngritur alarmin te stafi mjekësor në QKMF.

Edhe Zenel Kadrijaj nga fshati Rastavicë, tregoi për Radion Evropa e Lirë se ditëve të fundit, kishin vërejtur ndryshime në dukjen e ujit të pijes.

“Tek uji e kemi vërejtur që e ka pasur ngjyrën më të mbyllur dhe një natë më pas ka pasur sasi të madhe të klorit”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në një konferencë për media të hënën tha se janë duke bërë përpjekje maksimale për gjetjen e shkaqeve të këtij helmimi dhe deri më tani të gjitha dyshimet janë vetëm hipoteza.

Ramosaj tha se ka dyshime edhe për një skemë të qëllimshme, por ai nuk dha më shumë informacione mbi këto dyshime, duke shtuar se me to duhet të merren organet e hetuesisë.

*Tiranapost.al.