Kosova

Dialogu Kosovë-Serbi/ 15 qershori dita e takimit të Albin Kurtit me Vuçiç

Dialogu Kosovë-Serbi/ 15 qershori dita e takimit të Albin Kurtit me

Më 15 qershor në Bruksel do të mbahet takimi i radhës për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Në këtë datë pritet që të zhvillohet dhe takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Procesi i bisedimeve u pezullua gjatë korrikut për shkak të zgjedhjeve që u mbajtën në Kosovë. Kryeministri Kurti megjithatë ka thënë se bisedimet nuk janë përparësi e qeverisë së tij, por nuk do iu shmanget!

Kryeministri Kurti tha javën e kaluar se takimi që do mbahet në Bruksel “është takim i parë dhe aty mund të shohim se cili mund të jetë kapitulli i ardhshëm i dialogut…nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”.

Serbia kërkon që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe reagoi me zemërim ndaj deklaratave të kryeministrit Kurti se “nuk do të ketë asociacion njetnik”.

“Se ç'ka do të ndodhë me asociacionin, e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve edhe veprimet e atëhershme opozitare e qe besa edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi Asociacion njëetnik, pra është e domosdoshme që t’i integrojmë të gjithë qytetarët pa dallim etnie, të mos krijojmë ngrehina të cilat i ndajnë e i përçajnë ata”, tha kryeministri Kurti.

Presidenti serb tha se nëse zoti Kurti “nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë (në Bruksel)”.

Diplomatët perëndimor janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e bisedimeve me shpresë për një marrëveshje para vitit të ardhshëm kur Serbia mban zgjedhjet parlamentare e presidenciale, gjë që do të çonte në një pezullim të ri të procesit të filluar dhjetë vjet më parë nga të dyja vendet që aspirojnë integrimet evropian. Por, pak vëzhgues besojnë në një mundësi të tillë.

Paralajmërimet për rifillimin e bisedimeve u përcollën me debate rreth disa dokumenteve joformale për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor që përfshijnë edhe ide për ndryshime kufijsh, të cilat janë kundërshtuar nga Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara.

*Tiranapost.al.