Kosova

Dialogu/ Takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiç, Lajçak: Pati shumë pak progres

Dialogu/ Takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiç, Lajçak:

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak e ka cilësuar “të vështirë dhe me qasje shumë të ndryshme” takimin bilateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç që u zhvillua ditën e sotme në Bruksel.

Në një deklaratë të dhënë pas mbylljes së takimit Lajçak ka thënë se ndonëse janë diskutuar propozime konkrete, qasjet e ndryshme e kanë bërë progresin të pamundur. Për pasojë, është rënë vetëm dakord në parim që është e nevojshme që dialogu të vazhdojë. Gjithashtu, Lajçak ka nënvizuar se e ardhmja e Serbisë dhe e Kosovës në BE varet krejtësisht nga njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve bilaterale.

“Takimi u zhvillua vetëm një muaj pas takimit të tyre të parë në kuadër të dialogut këtu në Bruksel. Takimi ishte i vështirë dhe demonstroi qasje shumë të ndryshme të të dy palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si pasojë, ne arritëm shumë pak progres sot. U diskutuan disa propozime konkrete, mirëpo rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë. Për më tepër, të dy udhëheqësit ranë dakord të takohen përsëri në shtator. Për ne, Bashkimin Evropian, është e rëndësishme të nënvizojmë se e ardhmja evropiane për Serbinë dhe Kosovën varet nga normalizimi i marrëdhënieve të tyre. Prandaj, ne presim që të dy palët të punojnë së bashku për të kapërcyer të kaluarën dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura midis tyre.”- ka thënë mes të tjerash Lajçak.

Në takim ka qenë prezent edhe shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell.

Tiranapost.al