Kosova

Do nisem në Uashington me ftesën e parë! Kryeministri i Kosovës flet për takimin e dialogut me Serbinë

Do nisem në Uashington me ftesën e parë! Kryeministri i

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, shprehet se ka të drejtën kushtetuese për të përfaqësuar Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, edhe pa praninë e Presidentit Thaçi, i cili nuk mund të jetë pjesë e takimit për shkak të aktakuzës për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Ai tha se do të shkojë në takimin në Uashington në ftesën e parë që do t’i bëhet. Sipas Hotit në dialogun me Serbinë, që do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë, nuk do të diskutohet integriteti territorial i vendit, por çështje që lidhen me njohjen reciproke.

“Delegacioni është ndërtuar. Në aspektin kushtetues është Kryeministri i vendit që përfaqëson shtetin në procesin e dialogut. Ajo që unë po bëj është që të kemi një përfshirje të forcave politike. Dje në mbledhje të qeverisë kemi themeluar një zyrë dhe jemi dakordësuar në sallën e kuvendit, që kuvendi të jetë i përfshirë në proceset. Nuk diskutohet për çështje territoresh, nuk diskutohet integriteti territorial, karakteri i shtetit. Kemi parashikuar objektiva, njohje reciproke dhe normalizim i çështjeve që janë derivat i njohjes reciproke", tha Hoti.

Për të marrë pjesë në dialog, ai tha se i ka dërguar ftesë edhe Albin Kurtit:

“I kam çuar ftesa zyrtare Albin Kurtit. Kam marrë një përgjigje publike nga VV që kanë refuzuar të vijnë në takim. Nga PDK nuk kemi përgjigje të prerë, por do të shohim në vijim”.

*Deklarata u bë në emisionin "Opinion".