Kosova

Dorëhiqet ministri i Ekonomisë dhe Ambientit në Kosovë

Dorëhiqet ministri i Ekonomisë dhe Ambientit në Kosovë

Blerim Kuçi ka dhënë dorëheqjen si Ministër i Ekonomisë dhe Ambientit në Kosovë. Vetë Kuçi ka postuar një status në rrjetet sociale ku nuk jep detaje për arsyet e largimit por shpreson që kabinetet qeveritare të zgjasin me mandate të plota: ngaqë ndërrimi i shpeshtë është dëmi më i madh që u bëhet institucioneve.

Postimi në Facebook:

“Të nderuar,

Dje, nëpërmes një shkrese, kam kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti që të lirohem nga detyra e ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit.

Sikur gjatë gjithë mandatit që jam munduar të jem transparentë për çdo veprim, edhe këtë kërkesë për lirim nga detyra po e bëj publike.

Jam i bindur që gjithmonë ka vend për punë më të mirë, por gjatë punës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit jam angazhuar pa rezervë që të shtyjmë përpara shumë procese të rëndësishme.

Shpresoj që kabinetet qeveritare të zgjasin me mandate të plota, ngaqë ndërrimi i shpeshtë është dëmi më i madh që u bëhet institucioneve.

Faleminderit!”.

Mediat e Kosovës sjellin në vëmendje faktin se ndaj tij janë zhvilluar hetime për një tender që ka marrë kompania e tij “Hidro Term” për kontratën “Ndërtimi i Objektit Spitalor për Nënën dhe Fëmijën” në Prizren. Nuk dihet ende nëse dorëheqja e Kuçit lidhet me këtë çështje apo nëse  lidhet me angazhimin e tij në fushatën parazgjedhore që ka nisur në Kosovë. Kosova shkon në zgjedhje parlamentare me 14 shkurt.

Dorëhiqet ministri i Ekonomisë dhe Ambientit në Kosovë

*Tiranapost.al.