Kosova

Çfarë dihet deri tani për vrasjen e gruas shtatzënë nga bashkëshorti në Kosovë

Çfarë dihet deri tani për vrasjen e gruas shtatzënë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje opinionin publik. Një grua shtatzënë është vrarë në derën e maternitetit në Prishtinë, një ditë para se të lindte.

35-vjeçarja do të sillte në jetë sot fëmijën e saj të parë. Prej disa ditësh ajo ndodhej nën mbikqyrjen e mjekëve. Nga shtëpia e bashkëshortit ishte larguar prej disa kohësh.

Familjarët e saj kanë treguar se bashkëshorti jetonte në Mynih të Gjermanisë. Këtë herë ishte kthyer për të kryer vrasjen e dyfishtë, të gruas dhe fëmijës që priste.

Mësohet se disa ditë më parë, familjarët e tij e kanë vizituar të renë në spital duke iu lutur të kthehej në shtëpi për hir të fëmijës, por viktima ka refuzuar. Arsyeja ka qenë dhuna që bashkëshorti ushtronte.

Sot, një ditë pas ngjarjes tragjike, autori i krimit nuk është arrestuar ende. Menjëherë pas ngjarjes ka fluturuar për në Gjermani.

Në Prishtinë do të mbahet një protestë pasditen e sotme në orën 16:00 në sheshin “ Zahir Pajaziti” nën moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare”.